Konfirmohet rasti i parë me virusin “Ethet e Nilit Perëndimor” në Kosovë

Konfirmohet rasti i parë me virusin “Ethet e Nilit Perëndimor” në Kosovë

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është konfirmuar rasti i parë në Kosovë me virusin “Ethet e Nilit Perëndimor”.

Lajmin e ka bërë me dije Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Bëhet fjalë për një pacient të gjinisë mashkullore, i lindur në vitin 1965, nga komuna e Fushë-Kosovës, i hospitalizuar në Klinikën Infektive të QKUK-së me datën 29.07.2024, për shkak të simptomave si lodhja dhe temperatura e lartë. Këto simptoma te pacienti kanë filluar me datën 22 korrik 2024, ndërsa pas trajtimit ambulantor, ai është hospitalizuar me datën 29 korrik në Klinikën Infektive të QKUK-së për evaluim dhe trajtim të mëtejmë mjekësor. Pacienti nga data 27.06.2024 deri më 29.06.2024 ka qëndruar në Shëngjin-Shqipëri, ndërsa nga data 13.07.2024 deri më 22.07.2024 ka qëndruar për pushime në Ulqin. Simptomat i janë paraqitur menjëherë pas kthimit nga Ulqini”, ka njoftuar IKShPK-ja.

Sipas IKShPK-së, pacienti është duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Duke qenë që prej muajit të kaluar disa vende të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor kishin raportuar raste të Virusit të Nilit Perëndimor si: Spanja, Italia, Greqia, Austria, Hungaria, Franca, Serbia dhe, së fundi edhe Shqipëria, IKShPK-së ka ngritur nivelin e vigjilencës dhe këshilluar qytetarët që të ndjekin rekomandimet e dhëna në vazhdimësi për të parandaluar rastet e Virusit të Nilit Perëndimor.

IKShPK i njofton, gjithashtu, qytetarët se situata epidemiologjike është e qetë dhe po përcillet me kujdes të shtuar”, thuhet në njoftimin për medie.