62.4 milionë euro apo 12.1% tatime më shumë

62.4 milionë euro apo 12.1% tatime më shumë

Rritje e konsiderueshme e të hyrave tatimore është shënuar edhe për periudhën janar – korrik 2024, e cila është në vlerë 577.3 milionë euro. Këto shifra tregojnë rritjen e performancës në mbledhjen e të hyrave tatimore nëse bëjmë krahasimin me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, për të cilën shohim se rritja është për 62.4 milionë euro apo 12.1% tatime.

“Janë realizuar një sërë reformash strukturore dhe administrative, të cilat kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave. Digjitalizimi ose automatizimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve dhe qytetarëve, përveç që ka ndikuar në rritjen e deklarimit vullnetar, kjo ka ndihmuar edhe në rritjen e transparencës dhe efikasitetit në mbledhjen e tatimeve”, ka njoftuar Administrata Tatimore e Kosovës.

Tutje ka theksuar se janë zhvilluar fushata intensive për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe bizneseve për rëndësinë e pagesës së tatimeve dhe përfitimet që sjellin për shoqërinë tonë.

“Prioritet i aktiviteteve të autoritetit tatimor mbetet luftimi dhe parandalimi i ekonomisë jo-formale, për të cilën kemi intensifikuar përpjekjet për të luftuar evazionin fiskal përmes kontrolleve më të rrepta. Këto masa kanë kontribuar në rritjen e të ardhurave nga tatimet dhe në krijimin e një klime më të drejtë konkurruese. Rezultatet e këtyre përpjekjeve janë të dukshme. Të hyrat tatimore kanë shënuar rritje, duke kapërcyer nivelin e planifikuar dhe duke siguruar burime të rëndësishme financiare për realizimin e projekteve publike dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët tanë”, ka theksuar ATK-ja.

Sipas ATK-së, kjo arritje është një sinjal i qartë i angazhimit tonë për të krijuar një sistem tatimor të drejtë dhe të qëndrueshëm, i cili përmbush nevojat e shtetit dhe ndihmon në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ne si ATK do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të zbatuar reformat e nevojshme dhe për të përmirësuar më tej sistemin tonë tatimor”, ka njoftuar ATK-ja.