SBASHK-u nuk i ndal akuzat ndaj qeverisë: Po vazhdoin me qasjen e gabuar ndaj sindikatave
Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka mbajtur takimin përmbyllës duke analizuar aktivitetet e zhvilluara e duke bërë planifikime të veprimtarive sindikale për vitin 2024.
Përfaqësuesit e të punësuarve që nga çerdhet e deri në universitete kanë vlerësuar se viti 2023 ishte me plot sfida, por edhe me arritje të shumta.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, duke prezantuar raportin e punës ka deklaruar se fatkeqësisht edhe në vitin 2023 Qeveria Kurti e në këtë kuadër edhe ministrja Nagavci kanë vazhduar me qasjen e gabuar ndaj sindikatave dhe i kanë ikur dialogut të mirëfilltë për çka përmes shkresave janë kritikuar edhe nga Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), që numëron 11 milionë anëtarë dhe Internacionales Botërore të Arsimit (EI), që numëron 32 milionë anëtarë.
Jasharaj ka kujtuar edhe tendencën e Qeverisë për shuarjen e sindikatave përmes pengesave të regjistrimit në e-Kosova, por u ka shkuar huq, siç tha Jasharaj, sepse shumica e të punësuarve në arsim kaloi këto barriera duke dëshmuar se janë bashkë e në SBASHK.
Ai pastaj ka përgëzuar veprimtarët sindikalë dhe stafin qendror, të cilët kanë arritur të realizojnë detyrat e planifikuara për vitin 2023.
Anëtarët e Këshillit Drejtues kanë bërë vlerësim të angazhimeve e aktiviteteve sindikale në komuna e në universitete duke përmendur trajnimet e organizuara me qindra punëtorë të arsimit, organizimin me sukses të aktiviteteve kushtuar ditës së madhe të mësuesit, rrjedhën e mbarë të pushimeve për qindra punëtorë arsimor në bregdetin shqiptar dhe aktivitetet e shumta me Qendrën Amerikane të Solidaritetit, duke veçuar punëtoritë sindikale në shtatë qendrat e Kosovës dhe tryezën përgatitore me pjesëmarrjen e të gjitha palëve që ndërlidhën me arsimin për të mbajtur në shkurtin e vitit 2024 Konferencën ndërkombëtare lidhur me ruajtjen dhe kujdesin për shëndetin mendor në shkolla.
Ata kanë theksuar se punëtorët e arsimit falë Kontratës Kolektive të Arsimit kanë realizuar përmes gjykatave benifite të shumta, që u ka krijuar kjo Kontratë.
Duke vlerësuar lart angazhimet e koordinatorit për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri, Këshilli Drejtues e shpalli atë sindikalist të vitit në SBASHK dhe ka falënderuar gjithë sindikatat e Kosovës që në kuadër të BSPK-së e shpallen sindikalist të vitit në nivel vendi kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.