Incidenti në aeroportin e Shkupit, Osmani drejton kritika edhe për Kurtin
Presidenca e Kosovës ka reaguar sërish në lidhje me incidentin që i ndodhi ditë më parë në Aeroportin e Shkupit presidentes Vjosa Osmani.
Në reagimin për medie, thuhet se presidentja e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk ka kërkuar tejkalim apo shkelje të procedurave, por respektim të rregullave ndërkombëtare, siç bëhet në të gjithë botën.
Presidenca ka shprehur keqardhje se si është trajtuar incidenti nga konferenca që u mbajt ditën e hënë, nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”.
“Përderisa e vlerësojmë shprehjen e keqardhjes nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por perkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë. Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Dje kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë takimit me Kurtin tha se i vjen keq për incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ndërkaq, homologu i tij kosovar, Albin Kurti, tha se një raport zyrtar do të zbardhë gjithë ngjarjen.
“Do të ketë një raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje në tërësi, edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe që të mos na përsëriten më kurrë situata të tilla”, tha Kurti.