LV-ja thotë se kjo legjislaturë ka thyer rekord të miratimit të ligjeve
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, dhe deputeti Adnan Rrustemi kanë mbajtur konference për medie, ku kanë shpalosur të arriturat dhe sfidat gjatë sesionit pranveror të Kuvendit.
Kusari ka treguar se gjatë sesionit pranveror 2024 Kuvendi i Kosovës ka mbajtur 23 seanca plenare, ku janë miratuar 36 ligje, prej të cilave 20 marrëveshje ndërkombëtare.
“Në Kuvendin e Kosovës janë miratuar 7 rezoluta, 1 deklaratë e përbashkët, 6 rekomandime, është miratuar statuti i Universitetit të Prishtinës, janë shqyrtuar 12 raporte vjetore, janë miratuar 4 raporte, 7 rezoluta për vlerësimin e punës vjetore të institucioneve që i raportojnë Kuvendit”, ka thënë ajo, duke shtuar se nga 14 komisione parlamentare, 7 prej tyre udhëhiqen nga LV-ja. “Janë mbajtur 186 mbledhje të komisioneve parlamentare me gjithsej 866 pika të trajtuara”, ka bërë me dije Kusari.
Ndërkaq Adnan Rrustemi, deputet dhe kryetar i Komisionit për Legjislacion, ka thënë se kjo legjislaturë ka thyer rekord të miratimit të ligjeve në krahasim me të gjitha legjislaturat e mëparshme.