Fillon me fshatin Lubizhdë të Malishevës repelimi i kafshëve nga ethet “Kongo”

Fillon me fshatin Lubizhdë të Malishevës repelimi i kafshëve nga ethet “Kongo”

Ministrit i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë me dije se zyrtarisht ka filluar repelimi i kafshëve me fshatin Lubizhdë të Malishevës kundër sëmundjes “Ethet Hemorragjike Krime-Kongo” që shkaktohet nga infeksioni me virusin i cili bartet nga rriqna.

“Zyrtarisht ka filluar repelimi i kafshëve në fshatin Lubizhdë, komuna Malishevës kundër sëmundjes “Ethet Hemorragjike Krime-Kongo” që shkaktohet nga infeksioni me virusin i cili bartet nga rriqna. Repelimi përfshin komunat; Malishevë si më e rrezikuara, Rahovec, disa fshatra të komunave Klinë dhe Suharekë si dhe mbështetet në Strategjinë Kombëtare për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike Krime-Kongo (EHKK)”, ka shkruar ministri Peci në “Facebook”.

Ai ka thënë se AUV po ekzekuton masën e repelimit në të gjitha fermat blegtorale në zonat e rrezikuara për të parandaluar përhapjen e sëmundjes. Ekipet mobile po vizitojnë derë më derë fermat për repelimin e kafshëve.

“Preparati i përdorur është i sigurt për kafshët dhe ekipet në terren janë profesionale. Inspektorët e AUV-it dhe ata komunalë do të monitorojnë dhe lehtësojnë zbatimin e fushatës. Ftojmë të gjithë fermerët të bashkëpunojnë për një rezultat sa më të mirë në luftimin e kësaj sëmundjeje”, ka shkruar Peci.