Arkitektja hedh dritë mbi kasollet e harruara malore të Kosovës

Arkitektja hedh dritë mbi kasollet e harruara malore të Kosovës

Një arkitekte e re kosovare është pioniere e një studimi të ‘stanit’, që është një lloj ndërtimi i thjeshtë që barinjtë ndërtuan në male për të kujdesur bagëtinë – dhe një element i një trashëgimie të shpërfillur  kulturore.

Një dekadë më parë, Dodona Blakaj iu dha një detyrë universitare për të projektuar një vilë malore si pjesë e diplomës së saj në nivelin bachelor – por ajo kurrë nuk e imagjinonte kthesën që mund të merrte puna e saj në këtë fushë.

“Doja të projektoja një vilë malore për të përfunduar sa më shpejt që ishte e mundur diplomën bachelor, por për ta bërë këtë më duheshin disa kërkime paraprake rreth ndërtimeve malore,” thotë  30 vjeçarja Blakaj.

“Kur fillova kërkimin, e kuptova se nuk ka asgjë për ‘stanin’ në shqip. Më duhej të filloja nga e para”, shton ajo.

Përmes  librit të saj “Stani – Arkitektura Vendase e Bjeshkëve të Nemuna”, e botuar në shqip dhe gjuhën angleze, Blakaj thellohet në arkitekturën e ndërtimeve të thjeshta prej druri dhe guri të atyre që bëjnë verimet në bjeshkë, të cilat sipas saj kanë një vend të rëndësishëm, por të nënvlerësuar në trashëgiminë kulturore të vendit.

Ndonëse është kryesisht arkitektonik, libri prek aspektet kulturore të jetës në male. Aty gërshetohet një rrëfim ku arkitektura dhe kultura kryqëzohen, duke zbuluar trashëgiminë e pasur të njerëzve që bëjnë verimet në malet e Kosovës.

Stanet, një term në shumë vende të Ballkanit, janë thjesht kasolle malore, të përdorura kryesisht nga barinjtë në verë që mbajnë dhe kullosin tufat e tyre deri në fund të vjeshtës.

“Ky është publikimi i parë i bërë ndonjëherë për stanin. Ka disa shkrime të shkurtra nga etnologë të ndryshëm për jetën në stan, por janë vetëm disa kapituj të vegjël, që vetëm sipërfaqësisht flasin për ndërtimin,duke treguar më shumë për jetën në male,” thotë Blakaj në një intervistë online për BIRN nga Shtutgarti, ku ajo punon si arkitekte. “Nuk ka studime arkitektonike të stanit, ndërtimin dhe llojet e tyre.”

“Ishte mjaft e vështirë për mua të ndaja llojet e stani, si t’i përgatisja… Ishte një studim krejtësisht bazë,” shtoi ajo.

Kujtimet e fëmijërisë

Foto kortezi nga Dodona Blakaj

Blakaj thotë se zakonisht një familje kishte dy stane në bjeshkë – një për nevoja familjare dhe tjetra për ruajtjen e produkteve të qumështit.

“Nëse shohim një stallë të thjeshtë, njëra pjesë ishte shtruar me dërrasa dhe përdorej për akomodim, për fjetje, ndërsa tjetra kishte dollap druri ku vendosej bulmeti apo prodhimet e qumështit dhe në mes kishte një vatër zjarri ku përgatitej ushqimi”, thotë Blakaj.

“Një stan nuk ishte kurrë ndërtimi i vetëm në një vend. Ai ishte gjithmonë i rrethuar nga elementë të tjerë”, shton ajo.

E lindur dhe e rritur në qytetin perëndimor  Istog, pikërisht  rrëzë  maleve, Blakaj e kaloi fëmijërinë e saj duke parë kreshtat e  bjeshkëve të Moknës, që krijojnë një mur të gjelbër rreth vendlindjes së saj.

“Kujtimet e mia të para si fëmijë ishin ato male… ne gjithmonë i shihnim malet nga oborri”, kujton ajo.

Blakaj reflekton edhe për lidhjen e saj stërgjyshore me bjeshkët.“Për gjyshërit e mi ishte traditë të shkoja në bjeshkë. Nëna ime e kaloi fëmijërinë atje derisa u martua. Gjithë historitë e familjes sime janë të lidhura me malet”, thotë Blakaj.

“Çdo dimër, kur familja ime bënte plane për verën e ardhshme, çdo plan lidhej me bjeshkën, si të shkonte atje,” shton ajo.

Kur nisi lufta në Kosovë në vitin 1999, shumë familje nga Istogu u detyruan të merrnin rrugë malore për të shpëtuar nga forcat jugosllave. Familja e Blakajt ishte një prej tyre.

Vetëm 5 vjeçe atëherë, Dodona kthehet mbrapa në kohë.

“Të ecja nëpër bjeshkë, për mua ishte si t’i prekja ato. Nuk e kisha idenë se çfarë ishte lufta, por e kisha parasysh se po ikja nëpër male – dhe tani mund t’i prek ato”, thotë ajo.

Thirrje për të ruajtur trashëgiminë në zhdukje

Foto kortezi nga Dodona Blakaj

Blakaj thotë se në zonat malore të Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, stili arkitektonik i staneve është pothuajse i njëjtë, i thjeshtë dhe unik në tiparet e tij.

“Në Serbi dhe Bosnjë janë pak më të ndërlikuara. Në një farë mënyre, atje ngjajnë më shumë si shtëpi”, thotë ajo.

Ndonëse nuk dihet numri aktual i staneve të mbetura në Kosovë, ajo thotë se institucionet përkatëse shtetërore duhet të veprojnë më shpejt për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet.

Ajo druan se shumë prej tyre tashmë janë zhdukur.

“Ka pasur raste gjatë studimit kur njerëzit më kishin thënë se kishte një stan në një vend të caktuar. Por kur shkoja atje, e vetmja gjë që shihja ishte një grumbull gurësh”, thotë ajo.

Blakaj thotë se rreth 25 për qind e rreth 40,000 banorëve të Istogut merren me bagëti, ndërsa vetëm 10 për qind e tyre i përdornin bjeshkët për jetesë. “Tani ky numër është më i vogël. Jeta në mal është e vështirë”, thotë ajo.

Blakaj thotë se paradoksalisht, në dekadat e fundit, mungesa e infrastrukturës ka shpëtuar disa nga malet e Kosovës nga degradimi me ndërtime “të egra” të vilave.

“Është për të ardhur keq, ajo që po ndodh, veçanërisht me malet e Bogës,” thotë Blakaj, duke iu referuar maleve të Rugovës në pjesën e Pejës, ku në vitet e fundit është rritur numri i resorteve turistike pa asnjë kriter planifikimi.

“Bjeshkët në Istog dhe Deçan janë shpëtuar për shkak të mungesës së infrastrukturës, që është diçka pozitive në këtë rast”, shton ajo.

Studimi i Blakajt, në nivele akademike është cilësuar si pasurim i një fushe të lënë pas dore.

“Ky botim është ndër veprat e para në këtë fushë. Kushdo që është i përfshirë në fushën tonë e di se mungesa e literaturës (për stanin) vazhdon të jetë një sfidë,” tha gjatë prezantimit të librit të Blakajt më 2 maj, profesori universitar i arkitekturës, Lulëzim Beqiri.

Blakaj, e cila ndërkohë ka përfunduar masterin në Milano të Italisë, shpreson që ky punim të ketë ndikim tek të tjerët.

“Shpresoj se do të përdoret [nga studentët e arkitekturës] sepse ne nuk kishim asgjë për të në të kaluarën. Gjithçka që kishim ishin kapituj brenda një teme. Shpresoj që profesorët të jenë të vetëdijshëm për këtë element arkitektonik që kemi”, thotë Blakaj.

“Tani shohim që po ndërtohen vila të ndryshme malore. Edhe nëse nuk janë stane, do të ishte mirë që të frymëzoheshin nga stani dhe të krijonin diçka të re,” thotë ajo.

Artikulli është publikuar fillimisht në Balkan Insight.