Vdes një 41-vjeçare nga Graçanica, u rrah nga bashkëshorti dy ditë më parë
Një grua me inicialet M.Zh., nga Gushterica e Poshtme e komunës së Graçanicës, ka ndërruar jetë më 2 gusht në Qendrën Spitalore Klinike në Prishtinë, pasi burri i saj e kishte rrahur duke i shkaktuar lëndime të rënda.
Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë drejtori i Qendrës Emergjente në Prishtinë, Naser Syla.
“Fatkeqësisht, ajo ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Ajo kishte një hemorragji në tru nga lëndimet e rënda, dhe ne nuk mundëm ta operonim në atë gjendje. Ajo ishte në makineri 24 orë në ditë”, tha Syla.
M.Zh., e lindur më 1983, ishte transferuar në Prishtinë nga Qendra Spitalore Klinike në Graçanicë, ku u pranua në gjendje të rëndë mbrëmjen e 31 korrikut.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se bashkëshorti i saj me iniciale D.Zh. është ndaluar dhe se ka nisur hetimet për këtë rast.
Aktivistja për të drejtat e grave dhe drejtoreshë e organizatës joqeveritare “Pravo na pravo” nga Graçanica , Milica Stojanoviq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se institucionet kanë dështuar sërish kur është fjala për dhunën ndaj grave.
“Ky përfundim tragjik ka ardhur pikërisht sepse institucionet nuk janë marrë sa duhet me këtë problem. Më e keqja është se institucionet ende heshtin. Policia është përgjigjur me kohë, njeriu është dërguar në mbajtje, por varet edhe nga institucionet tjera se çfarë do të ndodhë”, tha Stojanoviq.
Ajo tha se janë institucionet vendore ato që duhet të punojnë për fuqizimin e grave për të denoncuar në kohë dhunuesin dhe se institucionet e drejtësisë duhet të vendosin dënime më të rrepta për dhunuesit.
“Që të mos lirohen dhunuesit me gjobë, dhunuesi nuk duhet të lirohet asnjëherë 24 apo 48 orë pas ushtrimit të dhunës”, nënvizon ajo dhe shton se në raste të tilla duhet të reagojë edhe shoqëria, sepse dhuna nuk është kurrë “çështje private”.
Gjatë muajit prill, dy gra u qëlluan nga burrat e tyre brenda pak ditësh.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani më pas u bëri thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, shoqërisë civile, qytetarëve, grave dhe burrave që të punojnë së bashku për të ndalur dhunën me bazë gjinore, “e cila njollos vendin tonë dhe që mund ta shkatërrojë atë nga brenda”.
Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra.
Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.