Tahiri: Sesioni pranveror i Kuvendit, periudhë e fitoreve të betejave kushtetuese të PDK-së

Tahiri: Sesioni pranveror i Kuvendit, periudhë e fitoreve të betejave kushtetuese të PDK-së

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri pas përmbylljes së sesionit pranveror të Kuvendit, ka thënë se ishte periudhë e fitoreve të betejave kushtetuese të PDK-së në mbrojtje të interesit publik dhe vlerave të shtetit demokratik.

Tahiri, në një konferencë për medie, tha se GP i PDK-së është angazhuar në vazhdimësi që të ndalë projektet dhe iniciativat e dëmshme të Qeverisë Kurti, e cila e ka shpërfillur Kuvendin dhe e ka braktisur përgjegjësinë dhe llogaridhënien para qytetarëve.

“Sesioni pranveror ka filluar në fund të janarit të këtij viti me mbi 30 pika të papërfunduara të sesionit vjeshtor dhe po ashtu po e mbyllim këtë sesion me diku 30 pika të papërfunduara. Kjo tregon për efikasitetin e punës së këtij Kuvendi”, theksoi ai.

Tahiri ka treguar se PDK-ja ka fituar betejat kushtetuese për anulimin e Ligjit për Byronë Shtetërore dhe për ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës në Shërbimin Civil, si dhe ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

“Beteja e parë që ka të bëj me Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ishte një iniciativë që binte ndesh me rendin tonë kushtetues që Gjykata Kushtetuese u dha të drejtë pretendimeve tona. Dhe, në anën tjetër ishte edhe Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, e cila ishte një iniciativë për ta rrënuar shërbimin civil në Republikën e Kosovës, një investim 20-vjeçar nga fondet tona si taksapagues të shtetit dhe nga fondet e BE”, tha Tahiri.

Ai ka shtuar se PDK-ja ka propozuar themelimin e katër Komisioneve Hetimore, atë për shlyerjen e borxheve milionëshe ambalazhuesve të ujit nga Ministria e Mjedisit, për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit dhe zjarret në IML, për kontratat njëburimore nëpër ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore, për subvencionimin e teksteve shkollore.

“Gjatë këtij sesioni GP i PDK-së ka iniciuar katër Komisione Hetimore, ku vetëm një prej tyre kemi arritur që ta themelojmë [për subvencionimin e teksteve shkollore] dhe në fund edhe puna e tij na është bllokuar”, tha Tahiri.

Gjatë sesionit pranveror, ai ka theksuar se PDK-ja ka iniciuar disa debate parlamentare, atë për arratisjen e personave të dënuar, atë për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për emigrimin e qytetarëve nga Republika e Kosovës, për tërheqjen e tri projektligjeve kundërkushtetuese nga shqyrtimi në Kuvend, si dhe për shkarkimin e Bordit të RTK-së.