Qeveria: Ura në Ibër duhet të hapet

Qeveria: Ura në Ibër duhet të hapet

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për medie ka njoftuar se sot kryeministri Albin Kurti, ka takuar ambasadoret e vendeve të Quint-it.

Në komunikatë thuhet se në takim është diskutuar edh mbi zbatimin e marrëveshjes së urës së Ibrit, duke ritheksuar se hapja e urës duhet të ndodhë dhe se kjo nuk është kundër askujt.

“Kryeministri Kurti paraqiti para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të Quint-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër. Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”, thuhet në komunikatën për medie.

“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim”. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet tutje në komunikatë.