Nga pushimet në Dhërmi, Rama publikon shifrat rekord të turistëve
EDI RAMA: Përshëndetje. Ca ditë pushim, si gjithnjë prej 10 vitesh, këtu në Dhërmiun magjik.
Mbrëmë mora të dhënat për hyrjet në Shqipëri, vetëm nga kufiri ‘Nënë Tereza’ dhe në pikën kufitare të Morinit dhe m’u duk e udhës t’i ndaj me ju. Nga aeroporti kanë hyrë thuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë se sa vjet. Madje, këtë korrik është thyer edhe një rekord tjetër, ai i hyrjeve në një ditë të vetme, 44 mijë. Aeroporti ka arritur të operojë deri në 252 fluturime në ciklin e 24 orëve, një volum marramendës dhe i paimagjinueshëm deri pak vite më parë.
Fatmirësisht, për shifrat e aeroportit nuk mund të thonë dot gjë as ato gojët me qime të atyre që nuk pushojnë ‘u zbraz’ Shqipëria. Për numër pasagjerësh, Tirana e ka spostuar në vendin e dytë aeroportin e Beogradit, i cili historikisht ka qenë I parë në këtë rajon.