Garat evropiane, askush si Ballkani dhe Drita
Kampionati kosovar i futbollit ka shënuar ngritje të nivelit përfaqësues viteve të fundit. Për këtë më së shumti “faj” ka kampioni aktual, FC Ballkani, pasi për të tretin vit radhazi, po marshon drejt fazës së grupeve në UEFA Europa Conference League.
Skuadra nga Suhareka ka zhvilluar ndeshje evropiane më shumë se çdo ekip tjetër në Kosovë, plot 32 në vetëm dy vjet e gjysmë. Prej tyre 15 i ka fituar, 5 barazime dhe 12 humbje.
Një rekord tjetër i “Xhebrailave” sa i përket ndeshjeve ndërkombëtare, qëndron te fakti se portokall e zinjtë nuk janë eliminuar asnjëherë në rrugëtimin eliminator në Ligën e Konferencës. Dy herë shkuan deri në fazën e grupeve, gjë të cilën e synojnë edhe këtë vit. Aktualisht gjenden në rrethin e tretë kualifikues dhe do të ndeshen me kampionët e Irlandës së Veriut, FC Larne.
Momentumin e njejtë këtë sezon është duke e shijuar edhe Drita e Gjilanit, skuadër kjo që renditet e dyta me më së shumti paraqitje në garat ndërkombëtare, pas Ballkanit.
Plot 21 herë “Intelektualët” janë paraqitur në Evropë, duke përfshirë edhe fazat preliminare që shkaku i koeficientit më të ulët, dikur detyroheshin klubet tona t’i zhvillojnë. Drita ka 9 fitore, 4 barazime dhe 8 humbje, ndërsa një herë është eliminuar me rezultat zyrtar (koha e COVID-19).
Drita do ta kërkoj fazën PlayOff në duel me Audan e Letonisë, raporton klankosova.tv
Si shkak i paraqitjeve të dinjitetshme të gjilanasve të kaltër, përfshirë prekjen e fazës së tretë eliminatore në Europa League, filloi ngritja e koeficientit të Superligës së Kosovës në UEFA, kurse kulmoi me sukseset e Ballkanit.
Edhe Prishtina padyshim që ka kontributin e vetë në këtë rrugëtim, pasi ishte skuadra e parë e shtetit të pavarur të Kosovës, që preku rrethin e tretë kualifikues në UEFA Europa Conference League.
Kryeqytetasit janë paraqitur 16 herë në garat evropiane, ku kanë regjistruar 5 fitore, 4 barazime dhe 7 humbje, si dhe një herë u eliminuan me rezultat zyrtar (periudha COVID-19).
Llapi do ta luaj të enjten ndeshjen e tetë në turin kualifikues të Ligës së Konferencës, ku deri tani ka shënuar 2 barazime e 5 humbje.
Nga gjashtë paraqitje kanë Gjilani dhe Feronikeli, katër i ka Dukagjini kurse Trepça’89 dhe Malisheva nga dy sosh.