IKD: Kurti dhe Bislimi nuk patën qasje proaktive për të raportuar në Kuvend për dialogun

IKD: Kurti dhe Bislimi nuk patën qasje proaktive për të raportuar në Kuvend për dialogun

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin për Kuvendin e Kosovës për sesionin pranveror, në të është përmendur edhe raportimi i liderëve të vendit për procesin e dialogut.

Në raportin e lëshuar  për media thuhet se me zhvillimet rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, IKD gjen se ka munguar qasja proaktive e kryeministrit Albin Kurti dhe e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për të raportuar mbi zhvillimet në dialog.

“Mungesa e raportimit të një kryeministri para parlamentit për dialogun ndërmjet shtetit të tij dhe një shteti tjetër, paraqet mangësi të thellë të transparencës, llogaridhënies dhe kontrollit demokratik të institucioneve. Në situatën kur një kryeministër nuk i paraqet parlamentit detaje mbi negociatat, krijohet një hendek në komunikimin dhe përgjegjshmërinë e qeverisë”, thuhet në raport.

Ndër tjera, në këtë sesion, sipas IKD-së, dy ligje të rëndësishme u dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese për t’u vlerësuar kushtetutshmëria e tyre: Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave.

“Kuvendi i Kosovës injoroi vërejtjet dhe komentet e shoqërisë civile në lidhje me miratimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.Raporti i IKD-së, për këtë projektligj tregon se pavarësia e garantuar kushtetuese për Këshillin për Mbrojtjen e Mediave (KPM) është kërcënuar nga varësia e tij ndaj partisë në pushtet. Ligji i ri për KPM-në është miratuar pa mbështetje nga opozita, me kritika nga partnerët ndërkombëtarë, mediat, dhe shoqëria civile, duke injoruar standardet e konsultimit publik dhe duke e politizuar këtë institucion, i cili do duhej të mbronte demokracinë dhe lirinë e mediave në Kosovë”, thuhet në raport.