Lideri politik i Hamasit vritet në Iran
Garda Revolucionare e Iranit tha se Ismail Haniyeh, lideri politik i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – është vrarë gjatë një sulmi në Teheran, duke fajësuar Izraelin.
Garda tha se po heton sulmin që la të vrarë Haniyeh, 62 vjeç, përderisa ai ishte në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Iranit, Masud Pezeshkian, më 30 korrik.
Garda Revolucionare e Republikës Islamike nuk dha detaje se si u krye sulmi, shkruan Rel.
Hamasi – që mbështetet nga Irani – konfirmoi lajmin përmes një postimi në Telegram më 31 korrik, duke thënë se Haniyeh u vra “në një sulm ajror në rezidencën e tij në Teheran”.
Pala izraelite ende nuk ka konfirmuar vdekjen e liderit politik të Hamasit.
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbad, menjëherë dënoi vrasjen, duke e cilësuar “akt qyqar dhe zhvillim të rrezikshëm”, sipas agjencisë shtetërore palestineze të lajmeve, WAFA.