Zjarret afër bregdetit shtyjnë disa turistë të largohen nga Shëngjini

Zjarret afër bregdetit shtyjnë disa turistë të largohen nga Shëngjini

Situata me vatrën e zjarrit në fshatin Mali i Shëngjinit vazhdon të jetë problematike.

Pasditen e së martës, zyrtarë të bashkisë së Lezhës kanë thënë se është djegur një biznes privat në afërsi të plazhit te Rana e Hedhun në zonën turistike të Shëngjinit, raporton Rel.

Zjarri ka kapluar çadrat dhe rrethojën në kompleksin turistik Inheritor, që gjendet pranë portit të Shëngjinit, në zonën që njihet si Rana e vogël. Në të kaluarën kjo ka qenë zonë ushtarake.

Sipas raportimeve, disa turistë po largohen.

Përveç forcave zjarrfikëse të pushtetit vendor, për shuarjen e flakëve është angazhuar edhe helikopteri Cougar, por si pasojë e erës së fortë zjarri është përhapur, duke rrezikuar edhe zonat e banuara dhe bizneset në atë pjesë.

Sipas autoriteteve, me kohë janë marrë masa për evakuimin e banorëve, duke bërë të mundur shmangien e rrezikut.

Gjatë së hënës operuan 20 mjete zjarrfikëse gjatë gjithë natës me rreth 60 forca zjarrfikëse. Ndërsa të martën pos helikopterit Cougar, janë angazhuar edhe 40 mjete zjarrfikëse dhe 150 forca operacionale.

Pas kërkesës drejtuar Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, shumë shpejt pritet të mbërrijnë dy avionë Canadair për ndërhyrje nga ajri.

Situata vazhdon të mbetet problematike pavarësisht gjithë angazhimit në nivel kombëtar.