Krahasimi i çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në Europë, si renditet Shqipëria
A është vendi juaj më i shtrenjtë se vendet e tjera europiane? Cilat mallra dhe shërbime janë më të lira se mesatarja e BE-së në vendin tuaj? Indekset e nivelit të çmimeve (Price level indices, PLI) janë krijuar për të bërë të mundur këto krahasime. Ata masin dhe krahasojnë çmimet e mallrave dhe shërbimeve midis vendeve të ndryshme.
Në thelb, PLI-të tregojnë se sa më të shtrenjta ose më të lira janë mallrat dhe shërbimet në një vend specifik, krahasuar me një vend ose grup tjetër vendesh, si BE-ja ose Europa.
Treguesi “i përgjithshëm” është shpenzimi i konsumit final të familjeve, i cili përfshin shpenzimet direkte të familjeve rezidente. Ky tregues pasqyron totalin e shpenzimeve për mallra dhe shërbime.
Sipas Eurostat, zyrës zyrtare të statistikave të BE-së, nivelet e çmimeve për shpenzimet e konsumit final të familjeve ndryshonin ndjeshëm në të gjithë BE-në në vitin 2023. Danimarka kishte nivelet më të larta të çmimeve, me 143% të mesatares së BE-së, e ndjekur nga Irlanda me 142% dhe Luksemburgu me 135%. Nga ana tjetër, Bullgaria dhe Rumania kishin nivelet më të ulëta të çmimeve, të dyja me 60%, dhe Polonia me 66%.
Në Shqipëri, nivelet e çmimeve për shpenzimet e konsumit final të familjeve ishin 66 %, më të larta se vendet fqinje si Mali i Zi (64%), Bullgaria dhe Rumania (60%), Bosnje Hercegovina (58%), Maqedonia e Veriut (52%) dhe Turqia 42%).
Kjo tregon se një shportë e caktuar me mallra dhe shërbime identike, kushton 143 € në Danimarkë, 135 € në Luksemburg, 66 € në Poloni dhe 60 € në Bullgari dhe Rumani. Kjo sugjeron, që ju do të paguani më shumë se dyfish në Danimarkë, në krahasim me Bullgarinë për të njëjtën shportë.
Meqenëse mesatarja e BE-së është vendosur në 100, një vend është relativisht i shtrenjtë në krahasim me BE-në nëse indeksi i nivelit të çmimeve të vendit është më i lartë se 100. Nëse indeksi i nivelit të çmimeve është më i ulët se 100, atëherë vendi klasifikohet si ‘relativisht i lirë’ ose ‘i lirë’.
Përfshihen Shoqata e Tregtisë së Lirë (Free Trade Association, EFTA), vendet kandidate për në BE dhe vendet kandidate potenciale — Zvicra kryesoi listën me 174% nga mesatarja së BE-së, e ndjekur nga Islanda me 156% dhe Danimarka me 143%.
Nivelet më të ulëta të çmimeve u gjetën në Turqi me 42%, Maqedoninë e Veriut me 52% dhe Bosnje-Hercegovinë me 58%.
Ky kontrast domethënës nxjerr në pah peizazhet e ndryshme ekonomike brenda Europës, ku kostoja e mallrave dhe shërbimeve mund të ndryshojë shumë nga një vend në tjetrin.
Më shumë se tre herë më shtrenjtë në Irlandë sesa në Bullgari
Në vitin 2023, midis grupeve kryesore të mallrave dhe shërbimeve të konsumit, hendeku më i madh i çmimeve në BE u vu re në kategorinë e alkoolit dhe duhanit. Niveli i çmimeve në vendin më të shtrenjtë ishte rreth 3.2 herë më i lartë se në vendin më pak të shtrenjtë të kësaj kategorie. Irlanda (211% e mesatares së BE-së) kishte çmimet më të larta, ndërsa Bullgaria (66%) kishte çmimet më të ulëta.
“Ky ndryshim i madh i çmimeve është kryesisht për shkak të dallimeve në taksat e këtyre produkteve,” shpjegoi Eurostat.
Niveli i çmimeve ishte relativisht më i ulët në vendet e Ballkanit, ndërsa vendet nordike kishin nivele më të larta. Shifra e fundit e disponueshme për Mbretërinë e Bashkuar është nga viti 2020, duke e bërë krahasimin e drejtpërdrejtë të vështirë, por ishte 165%, që tregon koston e lartë të këtyre mallrave nga MB.
Gjermania (99%) ishte pak nën mesataren e BE-së, ndërsa çmimet e alkoolit dhe duhanit në Francë ishin 32% më të larta se mesatarja e BE-së.
Për sa i përket Shqipërisë, nivelet e çmimeve të alkoolit dhe duhanit në vitin 2023 ishin 79%, më të larta se të gjitha vendet e rajonit përveç Greqisë (99%).
Restorantet dhe hotelet kishin diferencat e dyta më të mëdha në nivel çmimesh, ku çmimet më të larta ishin gati tre herë më shumë se më të ulëtat. Çmimet më të ulëta u regjistruan në Bullgari (52% nga mesatarja e BE-së), e ndjekur nga Rumania (65%) dhe Hungaria (72%). Çmimet më të larta ishin në Danimarkë (152%), e ndjekur nga Finlanda (129%) dhe Irlanda (128%).
Ndryshimet e çmimeve nuk janë të nxitura kryesisht nga taksat. Mund t’i atribuohet arsyeve të tjera, të tilla si kostot e ndryshme të punës dhe ndryshimet në kushtet ekonomike lokale.
Diferencat e nivelit të çmimeve janë më pak të theksuara në kategoritë e tjera, krahasuar me alkoolin dhe duhanin, si dhe në restorante dhe hotele.
Veshjet kishin variacionin e tretë më të madh të çmimeve, me një diferencë 1.6 herë midis çmimeve më të lira dhe më të shtrenjta. Çmimet më të lira ishin në Spanjë (81%), Bullgari (82%) dhe Hungari (88%). Veshjet më të shtrenjta ishin në Danimarkë (131%), Çeki (126%) dhe Estoni (118%).
Turqia ishte më e dallueshme në veshje me vetëm 30% të mesatares së BE-së.
Ndryshime çmimesh u vunë re edhe në ushqime dhe pije joalkoolike, duke filluar nga 74% e mesatares së BE-së në Rumani në 119% në Luksemburg. Pajisjet e transportit personal varionin nga 90% në Sllovaki në 129% në Danimarkë. Pajisjet elektronike të konsumit varionin nga 92% në Itali në 113% në Francë.
Në vitin 2020 dhe 2021, variacionet më të mëdha të çmimeve janë vërejtur në restorante dhe hotele, ndërsa alkooli dhe duhani renditen të dytat.