Perez: Litiumi vulos heshtjen e BE-së ndaj Serbisë

Perez: Litiumi vulos heshtjen e BE-së ndaj Serbisë

Alejandro Esteso Perez, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe njohës i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, në një analizë autoriale të publikuar në platformën kosovare “Sbunker” të hënën, ka thënë se marrëveshja për litiumin – metal i butë për prodhimin e baterive të automjeteve elektrike – vulos heshtjen e Bashkimit Evropian (BE) ndaj veprimeve të Serbisë.

“Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale të BE-së kundrejt parimeve dhe vlerave demokratike të saj”, ka shkruar Esteso Perez, derisa ka shtuar se kjo shkon në disfavor të shteteve ballkanike që janë duke pritur të anëtarësohen në BE.

“Kjo marrëveshje pasqyron se dyshimi që BE-ja e ‘përkëdhel’ Serbinë për ta ftohur nga boshti Moskë-Pekin nuk iu përgjigj vetëm shantazhit mjeshtëror gjeopolitik të Beogradit, apo dëshirës së BE-së për ta mënjanuar elefantin në dhomë, por motivit të drejtpërdrejtë për përfitim ekonomik. Tani, Brukseli e thur një fill të ri në ngërçin e ndërlikuar me Serbinë”, ka thënë ai.

Përkundër se ekonomia e Serbisë është relativisht e vogël, shteti serb posedon një nga depozitat më të mëdha të litiumit në kontinentin evropian. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar se miniera mund të hapet në vitin 2028, duke shtuar se ajo parashikohet t’i prodhojë 58 mijë tonë litium në vit, gjë që do të mjaftonte për prodhimin e 1.1 milion veturave elektrike.

“BE-ja është bërë peng i shantazhit gjeostrategjik të Serbisë – ‘as Lindja, as Perëndimi, ose…’ – dhe tashmë Brukseli po e ndihmon ta mbrojë atë. Me rishpikjen e shkathët dhe të volitshme të parimeve, Komisioni Europian tani është kontribues aktiv në platformën e guximshme të Vuçiçit it për dominim politik e ekonomik, me anë të zgjatjes së pushtetit të tij”, ka shtuar Perez.

Ndryshe, në vitin 2022, qeveria serbe e tërhoqi licencën për projektin e Rio Tintos në vlerë 2.4 miliardë dollarë, pas protestave masive. Përgjatë vitit 2021 dhe 2022,  aktivistët mjedisorë të Serbisë i mblodhën 30 mijë nënshkrime në një peticion për ndaljen e kërkimeve për litium në vend. Megjithatë, regjimi serb e ka riaktualizuar këtë plan sërish mes protestave të vazhdueshme.