Bulliqi ngushëllon familjen e mërgimtarit që humbi jetën tragjikisht në Valbonë
Bashkatdhetari nga Podujeva, Liridon Azemi, ka humbur jetën tragjikisht në Luginën e Valbonës, në zonën e njohur si “Maja e Thatë”, rasti ka ndodhur ditën e premte.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, thotë se me dhimbje të thellë kanë pranuar lajmin për vdekjen e mërgimtarit.
“Me dhimbje të thellë kemi pranuar lajmin për vdekjen tragjike të mërgimtarit nga Podujeva, Liridon Azemi. Ky rast i rëndë na preku thellësisht të gjithëve, veçanërisht duke i ditur rrethanat e vdekjes”, ka pohuar ai në postimin e bërë në Facebook.
Ai ka ngushëlluar familjen Azemi.
“Në këto çaste të rënda për familjen dhe miqtë e të ndjerit është vështirë të gjinden fjalë ngushëlluese, por megjithatë secili duhet të gjej forcë për ta tejkaluar këtë dhimbje të madhe. I shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e shokëve të tij! Lutemi që raste të tilla të mos ndodhin më”, thotë Bulliqi.
Ndryshe, Policia e Shtetit ka njoftuar mbrëmë se rreth orës 17:10, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftimin se një shtetas kosovar, në vendin e quajtur “Maja e Thatë” në Valbonë, dyshohet se për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rënë nga një lartësi dhe dyshohet se ka humbur jetën.
Siç raportohet ai kishte rënë nga një lartësi e madhe, ndërkaq pas më shumë se 24-orë intervenimi, është arritur të tërhiqet trupi i pajetë.