Cakolli tregon se kur mund të mbahen zgjedhjet e reja në Kosovë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.
Lidhur me ftesën e presidentes Osmani, një reagim e ka bërë edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Ai ka thënë se zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë do të mbahen në periudhën mes fundit të janarit dhe mesit të shkurtit të vitit 2025.
Ndërkaq sipas tij, datat e vetme të zgjedhjeve të rregullta që presidentja mund t’i diskutojë me partitë politike në takimin e së mërkurës, janë 26 janari, 2, 9 apo 16 shkurti.
“Presidentja ka kohë më së voni deri në mes të tetorit, për ta caktuar ndonjërën prej këtyre datave. Zgjedhjet, më herët se në janar, mund të jenë veç të parakohshme – pas shpërndarjes së Kuvendit (me 2/3 e votave) apo rënies së qeverisë (përmes mocioneve apo dorëheqjes së KM”, ka shkruar Cakolli në “Facebook”.