Të martën u lansua punimi “Analizë e rezultateve të zgjedhjeve lokale dhe nacionale 2025 nga perspektiva gjinore”, në konferencën e organizuar nga Democracy for Development (D4D) dhe Qendra për Barazi dhe Drejtësi.
Gjatë konferencës u prezantuan gjetjet kryesore të raportit dhe u diskutua mbi sfidat e përfaqësimit të grave në politikë, barrierat strukturore dhe nevojën për më shumë hapësirë e mbështetje për gratë në vendimmarrje.
“Përderisa gratë po marrin pjesë aktivisht dhe në mënyrë konkurruese në proceset politike, barrierat strukturore ende pengojnë përfaqësimin e tyre të plotë dhe të barabartë në institucionet vendimmarrëse. Kuotat ligjore nuk mund të jenë destinacioni përfundimtar; ato janë pika hyrëse, jo pika përfundimtare e barazisë”, tha Ronald Goldberg, zëvendësshef i Misionit në Embassy of the Netherlands in Kosovo.
“Raporte të tilla u ofrojnë politikëbërësve, partive politike, institucioneve zgjedhore dhe organizatave të shoqërisë civile të dhënat e nevojshme për të identifikuar boshllëqet dhe për të ndërmarrur masat e nevojshme”, shtoi Goldberg.
Në panelin “Nga kuota në përfaqësim të vërtetë: Fuqizimi i Grave në Politikë” morën pjesë Arbëreshë Kryeziu-Hyseni (LVV), Eliza Hoxha (PDK), Sibel Halimi (LDK) dhe Time Kadrijaj (AAK), të moderuara nga Muhamet Hajrullahu.
Panelistet diskutuan mbi gjuhën e urrejtjes dhe sulmet publike ndaj grave në politikë, rëndësinë e inkurajimit të grave për t’u përfshirë në politikë, si dhe nevojën për më shumë demokraci të brendshme brenda partive politike. U theksua gjithashtu se problemet me të cilat përballen qytetarët nuk kanë gjini dhe se temat që prekin jetën e përditshme duhet të jenë në fokus të debatit politik.
Raporti është hartuar në kuadër të projektit të mbështetur nga Embassy of the Netherlands in Kosovo, me qëllim analizimin e përfshirjes dhe përfaqësimit të grave në zgjedhjet lokale dhe parlamentare 2025, duke shqyrtuar të gjitha fazat e procesit zgjedhor, nga nominimi dhe mbështetja elektorale deri te rezultatet përfundimtare.

