Festivali tradicional i domates, Kurti: Domatja juaj në sofrën tonë, nga toka jonë

Festivali tradicional i domates, Kurti: Domatja juaj në sofrën tonë, nga toka jonë

Me rastin e shënimit të edicionit të 15 të hapjes së Festivalit Ndërkombëtar të Domates, kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, mori pjesë në hapjen tradicionale të këtij festivali.

Atje u mirëprit nga kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç. I pranishëm ishte edhe kryetari e Komunës së Ankarasë, Mansur Yavas.

Fjalën e tij, kryeministri Kurti e filloi duke shprehur ngushëllimet e tij të thella me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit dhe iniciatorit të Festivalit të Domates, Arif Bytyq.

Ai vazhdoi duke i vlerësuar fermerët e Mamushës si punëtorë të zot dhe shembull i mirë për Kosovën.

Tutje, ai shtoi se kur flitet për Mamushën, njëkohësisht flitet për njerëz punëtorë që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në kultivimin e produkteve më cilësore dhe me prodhimtarinë më të madhe në vend.

Sa i përket përkrahjes nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në këtë rast përmes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kryeministri nënvizoi se fermerët e Mamushës kanë përfituar mbi 10 milionë euro nga viti 2021 deri në vitin 2024.

Kurti ka theksuar se kjo mbështetjeje ka ndikuar në rritjen e sasisë prodhuese, sidomos e domates, sipërfaqet e së cilës janë shtuar për 100% në krahasim me vitin 2021, gjë që ka rritur eksportin në vlerë për mbi tetë herë, dhe sasinë, mbi gati tetë herë.

“Ajo çka synojmë si qeveri është ta shtojmë mbështetjen dhe ngritjen e vlerës së prodhimeve tona bujqësore, e në këtë rast sidomos të domates përmes skemës së granteve. Në këtë fazë ne kemi përkrahur shtimin e sipërfaqeve me serra, veçanërisht në Mamushë, falë organizimit dhe punës suaj, e kjo nënkupton prodhim më shumë. Uroj që viteve në vijim ta shtoni gamën e nënprodukteve përmes ruajtjes dhe përpunimit”, tha kryeministri, duke shtuar se: “Domatja juaj në sofrën tonë, nga toka jonë!”.

Përveç zgjerimit të sipërfaqeve me domate, kryeministri Kurti përmendi edhe shtimin e sipërfaqeve me serra, me anë të mbështetjes nëpërmjet granteve nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e veçanërisht në Mamushë, ku puna, përkushtimi i fermerëve, organizimi si dhe prodhimtaria është në masë më të madhe.

Ai theksoi gjithashtu se investimet në rrugën e “Bashqeve” përmes Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në Shtëpinë e Kulturës përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë investime tjera shtesë që gradualisht, por sigurt, do ta bëjmë Mamushën dhe Kosovën vend të begatë përmes vlerësimit të punës dhe njerëzve punëtorë.