PDK: Vendimi i BE-së për vizat me pasaporta ilegale serbe është i dëmshëm, Qeveria dështoi të mbrojë interesin e shtetit

PDK: Vendimi i BE-së për vizat me pasaporta ilegale serbe është i dëmshëm, Qeveria dështoi të mbrojë interesin e shtetit

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Mimoza Ahmetaj ka shprehur pakënaqësi lidhur me vendimin për liberalizimin e vizave të qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të lëshuara nga institucionet ilegale serbe, respektivisht nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Ahmetaj, në një konferencë për media, tha se ky vendim që e vendosë në pikëpyetje sovranitetin e Kosovës dhe nxitë vetëm veprimin e strukturave paralale ilegale serbe, është rezultat i paaftësisë së Qeverisë Kurti.

“PDK ka pritur nga Bashkimi Evropian që ta mbështesë Kosovën në qëllimin e saj për integrimin e serbëve të Kosovës brenda institucioneve legjitime të shtetit tonë, që ata të pajisjen me dokumente zyrtare të Kosovës. Ky vendim kontribuon vetëm në distancimin e serbëve të Kosovës dhe inkurajon ata që të mos bëhen pjesë përbërëse e shoqërisë dhe shtetit të tonë. Megjithatë, edhe ky vendim ndërkombëtar që vjen sot si pasojë për Kosovën, dje e kishte një shkak vendor: Qeverinë e Kosovës! Që nga dita e parë e qeverisjes, pushteti aktual ka pasur një qasje joserioze ndaj dialogut dhe aleatëve tanë.  Kjo Qeveri ka treguar paaftësi dhe papërgjegjësi të thellë në veprimet dhe mosveprimet e saj në politikën e jashtme, përmes së cilave po vërtetohet sot se ka dëmtuar edhe interesat e vendit tonë”, tha ajo.

Ahmetaj theksoi se Qeveria Kurti nuk ka reaguar në kohë, dhe nuk ka insistuar sa duhet që të respektohet marrëveshja e arritur në Dialog për Lëvizjen e Lirë.

“Politikat e gabuara të kësaj Qeverie, të cilat gjithmonë janë reaktive por asnjëherë aktive, nuk kanë arritur të mbrojnë në asnjë rast interesat e vendit tonë dhe as të shtyjnë përpara agjendën e shtetndërtimit dhe konsolidimit të Kosovës.  Qeveria jonë, fatkeqësisht, nuk e ka kuptuar akoma se komentet e tyre të vakëta brenda katër mureve në Prishtinë, janë zë i shurdhër në Institucionet e Bashkimit Evropian”, shtoi Ahmetaj.

PDK vlerëson se ky vendim i BE-së dhe kjo qasje e Qeverisë rikonfirmojnë së Qeveria Kurti është strukturë në Prishtinë që ka zero komunikim me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, se ia ka mbyllur Kosovës linjat e komunikimit dhe mirëbesimit në të gjithë botën, si dhe e ka izoluar Kosovën.

“Këto vendime nuk i kontribuojnë normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Përkundrazi, e cenojnë integritetin territorial dhe institucional të Kosovës dhe dërgojnë mesazhe tjera, të cilat, në vend të promovimit të stabilitetit nxisin edhe me tutje politikat cenuese të Serbisë ndaj Kosovës në veçanti, e Ballkanit në përgjithësi. Para 14 vitesh, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vulosi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, e gjithë bota demokratike ishte me Kosovën dhe të drejtën e saj për shtet. Sot, 14 vite më vonë, nën udhëheqjen e papërgjegjshme dhe pa vizion të kësaj Qeverie, bota është larguar nga ne dhe Kosova po shkon drejt humbjes së momentumeve të rëndësishme për integrim e zhvillim”, tha Ahmetaj.

Po ashtu, nënkryetarja Ahmetaj ka dënuar ashpër sulmet e njëpasnjëshme që po u bëhen nga ky pushtet mediave të lira dhe gazetarëve.

“Kjo është e papranueshme dhe kërkojmë që menjëherë të ndalen këto tendenca jodemokratike të Qeverisë kundër jush.  Fjala e lirë është parakusht i një shteti demokratik që nuk guxon ta cenoj askush”, tha ajo.