AGK: Pushteti i VV-së vazhdon të sulmon mediat e gazetarët
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar për sulmet e vazhdueshme të zyrtarëve të Vetëvendosjes ndaj mediave dhe gazetarëve në Kosovës.
Së fundmi e përfshirë në linçim ndaj mediave dhe vetë AGK-së, doli zyrtarja e VV-së, Dejona Mihali, e cila shkroi të martën në rrjete sociale se AGK duhet të ftojë hetime për pretendimet e gazetës boshnjake “Slobodna Bosna” e cila shkroi se dy mediume në Kosovë janë në kontroll të presidentit të Serbisë, Alexandar Vuçiq.
“Për AGK-në, qëndrimi i fundit i Mihalit vjen në serinë e sulmeve të koordinuara të pushtetit të Vetëvendosjes kundër medieve dhe gazetarëve në Kosovë. Thirrja për hetime ndaj një shkrimi pa autor, që nuk ofron asnjë fakt e dëshmi për pretendimet e veta, është e papranueshme dhe ka për qëllim intimidimin e gazetarëve në Kosovë”.
Organizata e gazetarëve të Kosovës, e cilëson qëndrimin e fundit të Mihalit, si vazhdimësi e serisë së sulmeve të koordinuara të pushtetit të Vetëvendosjes kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë.
Edhe dje dy deputetët e kësaj partie, Sali Zyba e Dimal Basha, duke iu referuar “burimit” të njëjtë, hodhën akuza të tilla të rënda, ndaj dy mediumeve kosovare “Periskopi” dhe “Nacionale”.
“Fushata si kjo, e rrezikojnë seriozisht sigurinë e gazetarëve të këtyre dy mediumeve, dhe Vetëvendosja e deputetët e saj duhet të mbahen përgjegjës për nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve potenciale kundër tyre”, shkruhet në reagimin e AGK-së.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bënë thirrje të përsëritur kryeministrit Kurti dhe Vetëvendosjes, që të mos angazhohen në fushata të tilla të papranueshme, që kanë për qëllim frikësimin e gazetarëve në Kosovë për të bërë punën e tyre.