Kurti pret në takim kryetarin e Komunës arbëreshe të Strigarit

Kurti pret në takim kryetarin e Komunës arbëreshe të Strigarit

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim kryetarin e Komunës arbëreshe të Strigarit, e cila ndodhet në rajonin e Kalabrisë, në afërsi të qytetit të Kozencës.

“Me Damiano Baffa, diskutuam mbi mundësitë për të thurur marrëdhënie bashkëpunimi mes komunave arbëreshe dhe komunave të Kosovës, për ndërveprime në fushën e kulturës. Gati gjashtë shekuj arbëreshët i ruajnë dhe kultivojnë traditën, gjuhën e kulturën e tyre. Kemi shumëçka të mësojmë e të ndajmë me njëri-tjetrin”, ka njoftuar Kurti në Facebook.

Ai ka treguar se nga kryetari Baffa, pranova edhe një libër të poetit lirik arbëresh, Zef Serembe (Giuseppe Serembe).

“Për të kuptuar më thellë madhështinë e tij, shkrimtari i madh Dritëro Agolli shkruante: ‘Nëse konsiderohesh poet, nuk mund të mos inspirohesh nga Serembe. Vepra e tij, është libri i shenjtë i poezisë lirike shqiptare’”, ka shkruar Kurti.