Rusia dënon me 16 vite burg gazetarin amerikan për spiunazh
Gazetari amerikan Evan Gershkovich është dënuar nga një gjykatë ruse me 16 vjet burg për spiunazh.
Gazetari i Wall Street Journal u arrestua fillimisht marsin e kaluar ndërsa ndodhej në qytetin e Yekaterinburg, rreth 1,600 km në lindje të Moskës, nga shërbimet e sigurisë.
Prokurorët e akuzuan se punon për Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA), akuza që Gershkovich, WSJ dhe SHBA i kanë mohuar vazhdimisht. Kjo shënon dënimin e parë të një gazetari amerikan për spiunazh në Rusi që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë më shumë se 30 vjet më parë.
Gjyqi filloi muajin e kaluar dhe procedurat e dy ditëve të fundit fillimisht ishin caktuar për në gusht.
Por në një lëvizje të papritur, seanca u shty të enjten dhe zyrtarët e gjykatës njoftuan se vendimi do të vinte të premten.
Prokurorët akuzuan Gershkovich, 32 vjeç, se kishte vepruar sipas udhëzimeve të CIA-s, duke mbledhur informacione sekrete në lidhje me një fabrikë që prodhon tanke në rajonin e Sverdlovsk.
Gazetari i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe në një deklaratë të enjten WSJ e quajti gjyqin të turpshëm. Por sipas analistëve, kjo mund të nënkuptojë se shumë shpejt mund të ndodhë një shkëmbim të burgosurish mes SHBA-së dhe Rusisë.