10 ndeshjet më të bukura të Euro 2024, mes tyre edhe Kroaci-Shqipëri
UEFA ka përzgjedhur 10 ndeshjet më të bukura të Europianit “Gjermani 2024”, e cila dhuroi emocione dhe spektakël për një muaj.
Ndër këto ndeshje, ishte dhe ajo mes Kroacisë dhe Shqipërisë në Hamburg, e vlefshme për Grupin B, që përfundoi me rezultatin 2-2, raporton TCh.
Në këtë takim, Qazim Laçi kishte shënuar golin e parë në minutën e 11′ dhe sulmuesi kroat Kramariç barazoi në minutën e 74’. 2 minuta më vonë, Klaus Gjasula shënoi autogol. Por mesfushori 34-vjeçar në minutën e 5′ të kohës shtesë realizoi gol për të siguruar barazimin.
Ndeshjet e tjera të përzgjedhura janë Gjermani-Skoci (5-1), Turqi-Gjeorgji (3-1), Kroaci-Itali (1-1), Holandë- Austri (2-3), Spanjë-Gjeorgji (4:1), Austri-Turqi (1-2), Gjermani-Spanjë (1-2), Spanjë-Francë (2-1), Holandë-Angli (1:2).
Për 10 ndeshjet e përzgjedhura UEFA ka hapur dhe një sondazh, ku sportdashësit mund të votojnë ndeshjen e tyre të preferuar.