Rama: Sulm i organizuar për të dëmtuar turizmin në Shqipëri

Rama: Sulm i organizuar për të dëmtuar turizmin në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se është ndërmarrë një sulm i organizuar për, siç u shpreh ai, të goditur turizmin në shtetin e tij.

Kjo deklaratë, e bërë gjatë një takimin e kryetarët e 61 bashkive në Shqipëri, vjen pasi në rrjetet sociale së fundi janë publikuar dhe shpërndarë fotografi dhe video të plazheve boshe apo me pak pushues në Shqipëri.

“Të jeni të vetëdijshëm se ka sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar. Kam folur me krerët e bashkive bregdetare që janë të habitur nga shumë video, lajme e komente të rreme, të manipuluara, të bëra me qëllim që duan të thonë se këtu s’ka ardhur njeri. Sulmi vjen nga disa anë. Sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe, të sigurisë kibernetike. Ka shumë profile false që përdoren për këtë sulm”, ka deklaruar sot Rama.

Sipas Ramës, Shoqata Evropiane e Udhëtimeve, sipas klasifikimit të fundit e ka renditur Shqipërinë në vendin e parë me 86 për qind rritje të fluksit të udhëtimeve. Shqipëria pasohet nga Serbia me 48 për qind, Mali i Zi dhe Turqia.

Kryeministri shqiptar po ashtu tha se është i pabazë pretendimi i disa ekspertëve të turizmit se shtetasit e Kosovës e kanë ‘braktisur’ Shqipërinë.