Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të hënën në konferencë për media prezantoi gjetjet kryesore të 24 auditimeve, prej tyre 22 auditime financiare dhe pajtueshmërisë, auditimin e performancës “Efikasiteti dhe efektiviteti i grumbullimit të mbeturinave të amvisërisë në kryeqytet” si dhe Raportin e auditimit për raportin financiar vjetor të Korporatës Energjetike të Kosovës për qëllime të veçanta mbi rentën minerare të paguar për licencat për vitin 2025.
Spanca tregoi se për 14 auditimet financiare dhe pajtueshmërisë ZKA ka dhënë gjashtë opinione të pa modifikuara dhe tetë opinione të kualifikuara. Ndërsa te ndërmarrjet publike janë dhënë katër opinione të kundërta dhe katër të kualifikuara.
Auditorja e Përgjithshme theksoi se fakti që tetë nga 10 ndërmarrje të audituara kanë marrë opinion negativ tregon që këto ndërmarrje ende nuk kanë arritur të vendosin kontrolle adekuate për raportim financiar.
“Nga auditimet e publikuara deri me tani rezulton se edhe kryerja e aktiviteteve, transaksioneve dhe operacioneve tjera ende nuk është në pajtueshmëri të plotë me kornizën ligjore dhe procedurat që ndërlidhen me menaxhimin dhe shpenzimin e parasë publike”, deklaroi znj. Spanca.
Ndërsa sa i përket raportit të performancës “Efikasiteti dhe efektiviteti i grumbullimit të mbeturinave të amvisërisë në kryeqytet” Auditorja e Përgjithshme tha se rezultatet e këtij auditimi tregojnë se komuna nuk ka arritur të jetë efikase as efektive në grumbullimin e mbeturinave gjatë viteve të fundit. Një nga gjetjet më shqetësuese të raportit është dështimi i pothuajse të gjitha hallkave të mbikëqyrjes institucionale. Ky proces kishte dështuar të realizohej pothuajse në të gjitha nivelet nga të gjitha palët.
Spanca deklaroi se institucionet publike rekomandimet e ZKA-së duhet t’i pranojnë si një kontribut serioz për përmirësimin e proceseve, aktiviteteve dhe operacioneve të tyre. Kjo do të ndikojë në përmirësimin e përgjithshëm të menaxhimit më të mirë të parasë publike dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara.
Po ashtu në këtë konferencë Auditorja e Përgjithshme prezantoi rezultatet kryesore të Raportit Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2025 si dhe foli për bashkëpunimin me Prokurorinë e Shtetit përkatësisht rastet e dërguara nga gjetjet e auditimit, ku vetëm për vitin 2025 janë referuar 80 sosh.

