Ministri që bujqësinë e ktheu për fermerin
Ky vit mund të konsiderohet edhe vit i suksesit të bujqësisë në vendin tonë, duke marrë për bazë që shumë punë janë bërë në sektorin e bujqësisë, e që më parë nuk janë bërë.
Që nga momenti i marrjes së detyrës si ministër i Bujqësisë, Faton Peci, ishte afër fermerit dhe i hapur për bashkëpunim duke respektuar në përgjithësi transparencën, shkruan Objektivi.
E gjeti ministrinë të zhytur në krim e korrupsion, por dalëngadalë e ktheu ketë ministri në adresë të transparencës dhe llogaridhënies. Shkurt, ua ktheu besimin fermerëve se toka duhet të punohet.
Edhe vetë ministri më herët kishte deklaruar se: “Për çdo cent të taksapaguesve, dihet adresa dhe vlerësimi mbi bazën e përfitimit e monitorimit. Çdo gjë funksionon në shërbim të fermerit dhe opinionit të gjerë, besojmë në llogaridhënie dhe meritokraci si parime shtylla për qeverisje të mirë”.
Me ardhjen e tij në krye të kësaj ministrie është rritur si asnjëherë më parë përkrahja për bujqit dhe ndihma për projekte madhore në këtë sektor, të lënë anash për shumë vite.
Nuk ka lënë komunë dhe bujq pa vizituar gjatë vitit 2023, duke u dhënë shpresë e përkrahje për ta punuar tokën e për të mos e lënë djerrinë.
Falë përkushtimit të tij, shumë bujq punëtorë ishin përfitues të granteve të ndryshme, të cilët sot janë të suksesshëm në punën që bëjnë, dhe të përkushtuar që me të gjitha kapacitetet që kanë t’i shërbejnë zhvillimit të bujqësisë.
Gjatë vizitave që ka pasur nëpër komuna, te fermerë të ndryshëm, ai ka marrë mesazhin nga ta se po të mos ishte mbështetja e shtetit dhe e tij personale për investime të tilla në sektorë të ndryshëm të bujqësisë, mbase nuk do të merreshin me veprimtaritë e tyre.
Miliona euro të investuara në bujqësi gjatë vitit 2023, e rreth 90 milionë të tjera për vitin 2024. Kjo është dora e shtetit dhe mbështetja konkrete financiare, por që nuk do të bëhej pa një ministër transparent dhe pa një ministër që nuk përton t’i vesh çizmet për të shkuar afër fermerit për të parë se deri ku ka mbërri projekti e puna.
Sot punën e Ministrisë së Bujqësisë, e vlerësojnë më së miri fermerët dhe jo ata që për vite e shkatërruan sektorin e bujqësisë.
Si ministër i Bujqësisë, ai ka theksuar se do të mbetet i përkushtuar në fuqizimin e fermerëve vendorë përmes politikave zhvillimore. “Kosova ka potencial për zhvillim të sektorit të bujqësisë e këtë potencial po e shpalosim dita ditës përmes përkrahjes financiare ndaj bujqve e fermerëve të vyer, punëtorë e meritorë”, ka deklaruar ministri Peci në panaire të ndryshme ndërkombëtare të bujqësisë.
Pra, aplikimi për subvencione dhe grante është bërë më i lehtë me ardhjen e tij në krye të kësaj ministrie. Keqpërdorimet, padrejtësitë dhe korrupsioni janë ndalur. Gjasat për të përfituar bujqit dhe fermerët meritorë janë rritur.
Ky është Faton Peci që bujqësinë ia ktheu fermerit.
/Objektivi/