Hovenier dhe Gjini inaugurojnë Qendrën Trajnuese Regjionale “IMP Training”

Hovenier dhe Gjini inaugurojnë Qendrën Trajnuese Regjionale “IMP Training”

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka pritur sot ambasadorin e ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, me të cilin diskutuan për shumë tema me interes të përbashkët qoftë në nivelin lokal e po ashtu edhe në atë qendror.

“Bashkë me ambasadorin Hovenier vizituam qendrën mësimore në Brekoc, e cila ofron mbështetje arsimore për fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas dhe gjithashtu bashkëbiseduam me përfaqësues të këtyre komuniteteve. Ishte vlerësim i përbashkët i të gjithë aktorëve se komuna e Gjakovës e ka ngritur standardin e ofrimit të shumë mundësive për qytetarët e këtyre komuniteteve”.

“Gjithashtu, me ambasadorin Hovenier morëm pjesë në inaugurimin e Qendrës Trajnuese Regjionale ‘IMP Training’. Kjo qendër që është e licencuar nga kompania prestigjioze amerikane ‘HAAS’, është e para e këtij lloji në rajon dhe ofron arsim cilësor dhe të avancuar në fushën e teknologjisë së prodhimit. Edhe në këtë rast ambasadori Hovenier e vlerësoi Gjakovën si një komunë që prin me ofrimin e mundësive për zhvillimin e ndërmarrësisë dhe inovacionit. Komuna e Gjakovës ashtu sikurse edhe e tërë Kosova ka gëzuar mbështetje nga ShBA-të në të gjitha sferat e jetës dhe për këtë përjetësisht jemi mirënjohës”, ka njoftuar Ardian Gjini.