Deputetja e LDK-së: Ministrat e Kurtit kanë gjetur vend tek vrima e buxhetit, janë qeveri e korrupsionit

Deputetja e LDK-së: Ministrat e Kurtit kanë gjetur vend tek vrima e buxhetit, janë qeveri e korrupsionit

“Vrima prej të cilës rridhte pa ndërprerë paraja e buxhetit tonë, po mbyllet njëherë e përgjithmonë”, ka deklaruar sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Deklaratë kjo, që e bëri të reagoj deputeten e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e cila u shpreh se kryeministri Kurti është “kryemashtrues”.

Madje sipas saj, edhe ministrat e kryeministrit kanë gjetur vend tek vrimat e buxhetit.

“Qeveria Kurti është qeveri e mashtrimit dhe korrupsionit, qeveri që shërben për shokët e Albin Kurtit dhe ministrave të tij”, shkruan tutje Krasniqi.

Shkrimi i plotë:

Kryemashtruesi Kurti dhe shokët e tij hajdutë

Deklarimi i Kurtit se është mbyllur vrima prej së cilës rridhte paraja e buxhetit është mashtrimi i radhës sepse vrima nuk është mbyllur por është hapur për Martinin, Nagipin dhe Ridvanin. Madje edhe ministrat e Kurtit kanë gjetur vend tek vrima e buxhetit që tanimë nuk është vrimë por gropë e madhe për ministrat dhe sekserët e Kurtit.

Qeveria Kurti është qeveri e mashtrimit dhe korrupsionit, qeveri që shërben për shokët e Albin Kurtit dhe ministrave të tij. Kjo qeveri është e zhytur thellë në korrupsion.