Sallahu: Ikje nga qendrat korrektuese të tipit të hapur ka pasur edhe në të kaluarën
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se nuk është hera e parë që të burgosur janë larguar nga burgjet, duke folur për largimin dhe ikjen e dy të burgosurve së fundmi.
Ai, në një konferencë për media, ka theksuar se të dy të burgosurit që janë larguar, ishin të integruar dhe se ishin pjesë e institucioneve korrektuese të hapura, për shkak se thuhet se personat në fjalë llogariten si në fazën më të avancuar të vuajtjes së dënimit.
Sipas tij, largime të të burgosurve nga qendrat korrektuese (QK) të tipit të hapur ka pasur edhe në të kaluarën, dhe mund të ketë vazhdimisht.
“Duhet theksuar se largimi nga njësitë e qendrave korrektuese të tipit të hapur ka pasur edhe në të kaluarën, dhe mund të ketë edhe në vazhdimësi sepse këto institucione nuk iu nënshtrohen kontrollit dhe masave të larta të sigurisë sepse qëllimi i tyre është realizimi i programeve avancuese ndaj të burgosurve që iu nënshtrohen rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në shoqëri”, tha Sallahu.
Megjithatë, ai tha se kur kapen personat e tillë, më nuk janë në shërbimin korrektues të tipit të hapur, por të mbyllur.
“Atyre u shtohet edhe një vepër penale tjetër”, tha zëvendësministri i Drejtësisë.
Numri dy i MD-së tha se Inspektorati i MD-së që nga orët e hershme të mëngjesit gjendet në vendin e ngjarjes duke kryer inspektimet.
“Në këtë drejtim sapo të pranojmë raportin e Inspektoratit në përputhje me rekomandimet e tyre do të merren veprime adekuate”, ka thënë Sallahu. /Klankosova.tv