Kosova është gati për Evropianin e Hendbollit U20
Prej 13 deri më 21 korrik 2024 në Kosovë do të zhvillohet Kampionati Evropian i Hendbollit U20 për meshkuj ku do të marrin pjesë 12 shtete.
Në një konferencë për media, presidenti i federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraqini, ka thënë se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për zhvillimin e këtij kampionati.
“Jemi në prag të fillimit të Kampionatit Evropian për meshkuj nën 20 vjet dhe mund të them që ne si Federatë e Hendbollit të Kosovës kemi bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e mbarë të këtij kampionati. Është e rëndësishme e rëndësishme që do të jemi nikoqir të 12 shteteve, respektivisht të kombëtareve të 12 shteteve të cilat do të marrin pjesë dhe këto janë Belgjika, Bullgaria, Estonia, Finlanda, Britania e Madhe, Gjeorgjia, Lituania, Luksemburgu, Sllovakia, Turqia dhe Kosova”, bëri të ditur Saraqini, raporton KP.
Kurse, trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bujar Qerimi, tha se skuadra është e gatshme për këtë kampionat dhe se synimi është për t’u renditur në katërshen më të mirë.
“Dje kemi pasur një ndeshje miqësore me Britaninë e Madhe, i kemi parë disa probleme të vogla dhe po mundohemi në këto ditët e fundit t’i përmirësojmë për të mundur të jemi në binar apo të përgatitur sa më mirë edhe sa i përket anës taktike edhe aspektit teknik, mirëpo fokusi kryesor është që këta lojtarë ta gjejnë veten sa më mirë që rezultatet të jenë ne plan të parë. Besojmë dhe kemi punuar sa ishte e mundur jemi përgatitur në nivel të mirë për ta arritur finalen e në katër ekipet e para”, theksoi Qerimi.
Të gjitha ndeshjet e këtij kampionati do të zhvillohen në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.