OAK organizon tryezë me ministrin Peci: Eksporti i produkteve bujqësore është rritur për 94%

OAK organizon tryezë me ministrin Peci: Eksporti i produkteve bujqësore është rritur për 94%

Oda Amerikane në Kosovë ka organizuar tryezë me ministrin e Bujqësisë, Faton Pecin, ku u fol për potencialet ekonomike të sektorit të bujqësisë, krahas krijimit të vlerës së shtuar përmes ndërlidhjes me të mirë dhe forcimit të kapaciteteve përpunuese.

Gjatë këtij diskutimi, Peci tha se objektivi primar i ministrisë së Bujqësisë është zhvillimi i bujqësisë së qëndrueshme.

“Ministri Peci theksoi rëndësinë e krahasimit të të dhënave dhe statistikave lidhur me prodhimin dhe importin e produkteve të ndryshme, të cilat janë përdorur për rifokusimin e subvencioneve dhe mbështetjen e kulturave me arsyeshmëri më të madhe ekonomike. Ai tha se si rezultat i masave të ndryshme të ndërmarra, për herë të parë është siguruar prodhimi primar i grurit për nevojat e brendshme të Kosovës”.

“Ministri diskutoi për mbështetjen për kultivuesit e produkteve parësore, përfshirë pemët dhe perimet, të cilat nuk kishin pasur fokus të mjaftueshëm në vitet e kaluara. Ai përshkroi gjithashtu planet për integrim më të mirë me industrinë e përpunimit të ushqimit, duke elaboruar mbështetjen për sektorin e blegtorisë, duke synuar rritjen e fondit blegtoral dhe përmbushjen më të mirë të kërkesave lokale”, thuhet në njoftimin e OAK-ut.

Gjithashtu u bë e ditur se është rritur eksporti i produkteve bujqësore për 94 për qind, e po ashtu u tha se ministria e Bujqësisë po punon paralelisht në disa aspekte të ndryshme ligjore, përfshirë edhe Projektligjin për Kooperativat Bujqësore.