Samiti i NATO-s, Haradinaj: Lidershipi aktual i Kosovës e ka pamundësuar që të diskutohet për anëtarësim në këtë organizatë
Në Uashington sot nis samiti i NATO-s, që zhvillohet në 75-vjetorin e themelimit të kësaj organizate.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se do të ishte e mrekullueshme sikur në këtë samit të diskutohej për anëtarësimin e Kosovës në NATO, por që lidershipi aktual e ka pamundësuar një gjë të tillë.
“I mrekullueshëm do të ishte lajmi sikur Kosova të ishte në tavolinat ku do të diskutohej për anëtarësimin e saj në NATO! Por fatkeqësisht politikat e lidershipit aktual të Kosovës e kanë pamundësuar një gjë të tillë. Pjesëmarrja e Kosovës në çfarëdo forumi që ndërlidhet me NATO-n, përfshirë edhe ftesën e Presidentes që të jetë pjesë e aktivitetit për gratë, paqen dhe sigurinë, në kuadër të Samitit të NATO-s, është nder për vendin, për çka u jemi mirënjohës aleateve”, thotë Haradinaj përmes një reagimi në Facebook.
Tutje, ai ka shkruar se “udhëheqja e sotme e Kosovës apo cila do që vjen pas saj, duhet ta kuptojnë që detyrë mbi detyrat mbetet anëtarësimi në NATO”.
“Ata që nuk e mbështesin këtë synim shtetëror të Kosovës, jo vetëm që janë shkurtpamës por nuk e dijnë pse i mbajnë postet që i kanë”, pohon ai.
Samiti që do të zgjasë deri më 11 korrik pritet të fokusohet në disa tema kryesore, ndër të cilat është forcimi i mbrojtjes.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Uashington D.C., me ftesë të Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75 vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.