Hapet edicioni i 24-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës
Universiteti i Prishtinës ka hapur zyrtarisht edicionin e 24-të të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës (PISU 24) me një ceremoni madhështore para ndërtesës së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.
Ngjarja shënon fillimin e dy javëve të mbushura me 28 kurse të ndryshme akademike, shkëmbime kulturore dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Ceremonia filloi me fjalën përshëndetëse nga rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, i cili theksoi rëndësinë e universitetit veror në nxitjen e lidhjeve globale dhe zgjerimin e përvojave arsimore. “Në Universitetin e Prishtinës, ne e kuptojmë se dija është e pafund dhe ajo zhvillohet me çdo moment që kalon. Prandaj, jemi krenarë që të ndajmë me ju se kurset që ofrojmë do të lehtësohen nga profesorë që janë autoritete të njohura ndërkombëtare dhe ndihmohen nga literatura bashkëkohore, duke ngritur përvojën tuaj të mësimit në një standard ndërkombëtar të vërtetë. Universiteti ynë veror nuk është vetëm një ngjarje akademike. Është dëshmi për përpjekjen e vazhdueshme të universitetit tonë, për të udhëhequr vendin dhe Evropën Juglindore në ofrimin e mundësive të shkëlqyera të arsimit të lartë. Është një platformë ku ne festojmë fuqinë fascinuese të mësimit, gëzimin e shkëmbimit dhe vlerën e perspektivave të ndryshme. Ne besojmë me të vërtetë se studentët tanë, pra ju, nuk jeni vetëm e ardhmja e këtij rajoni, por katalizatorë të ndryshimit global”, ka thënë rektori Qerimi.