Zelensky: Orban s’mund të jetë ndërmjetës i paqes

Zelensky: Orban s’mund të jetë ndërmjetës i paqes

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se kryeministri hungarez, Viktor Orban, nuk mund të ndërmjetësojë mes Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës.

Orban qëndroi të hënën në Pekin për vazhdimin e asaj që ai quajti “misioni i paqes 3.0”.

Javën e kaluar, ai ishte edhe në Kiev dhe në Moskë.

Në një letër dërguar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, më 5 korrik, Orban tha se, bazuar në bisedimet e tij me presidentin rus, Vladimir Putin, ai beson se tani ka “shanse më të mëdha për një pritje pozitive për të gjitha propozimet e mundshme për armëpushim, si dhe për një udhërrëfyes drejt bisedimeve për paqe”.

Por, Mike Carpenter, këshilltar i lartë për Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, tha se takimi i Orbanit me Putinin nuk ishte i dobishëm.

“Unë nuk mendoj se [vizita e Orbanit në Moskë] do ta mbështesë Ukrainën dhe përpjekjet e saj për paqe, ose sovranitetin apo integritetin territorial të Ukrainës”, tha Carpenter.

Michel tha javën e kaluar se presidenca e radhës e BE-së, që aktualisht i takon Hungarisë, “nuk ka mandat të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së” dhe përsëriti qëndrimin e BE-së se Rusia është agresore në luftën në Ukrainë.