Temperaturat e larta në vend, sa është rritur fluksi i pacientëve që kërkojnë ndihmë?
Temperatura të larta po mbretërojnë javëve të fundit në vendin tonë, ku nga parashikimet e instituteve përkatëse është bërë e ditur se në vazhdim ato mund të arrijnë edhe deri në 37 gradë Celsius.
Ngritja e temperaturave shpesh bën që të ndikojë edhe në shëndetin e shumë njerëzve, sidomos të atyre me sëmundje kronike, shkruan Klankosova.tv.
Lidhur me këtë çështje, për Klankosova.tv ka folur drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, i cili tha se këtë kohë ka pasur rritje të numrit të pacientëve, shumica prej tyre me sëmundje kronike, të cilëve për shkak të temperaturave të larta, iu është përkeqësuar gjendja.
Ndërkaq, sa i përket atyre që temperaturat kanë ndikuar direkt tek ka, Syla u shpreh se ka pasur, por jo në numër shumë të madh.
Ai u shpreh për Klankosova.tv se mesatarja e pacientëve që kanë kërkuar ndihmë në Emergjencën e QKUK për 24 orë, është 311, për dy muajt e fundit.
Sipas tij, deri në gjysmën e muajit maj kjo mesatare ka qenë më e ulët, me 270 në 24 orë.
“Mendoj që numri i pacientëve nuk është rritur edhe aq shumë, për shkak se shumë njerëz kanë shkuar në pushime”, është shprehur Syla, duke thënë se shkuarja në pushime bën që ata t’i përballojnë më lehtë temperaturat e larta.
Për fund, ai gjithashtu bëri thirrje për kujdes të shtuar në këto kohë të nxehta, duke thënë që të konsumohen sa më shumë lëngje.
Thirrje për kujdes në këto ditë të nxehta ka bërë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, duke thënë që duhet shmangur dalja jashtë dhe marrja me aktivitete të rënda gjatë vapës.
“Shmangni të dilni jashtë dhe të bëni aktivitete të rënda gjatë kohës më të nxehtë të ditës. Qëndroni në hije Mos harroni se temperaturat e perceptuara në diell mund të jenë 10-15 ˚C më të larta. Kaloni 2-3 orë gjatë ditës në një vend të freskët. Jini të vetëdijshëm për rrezikun. Qëndroni të informuar për paralajmërimet zyrtare rreth temperaturave të larta. Mbajeni shtëpinë tuaj të freskët. Përdorni ajrin e natës për të ftohur shtëpinë tuaj duke hapur dritaret në mbrëmje kur temperatura e jashtme është më e ulët se ajo e brendshme.
Gjatë ditës kur temperaturat e jashtme janë më të larta se ato të brendshme, mbyllni dritaret dhe mbulojini ato me perde apo materiale që pengojnë rrezet e diellit të hyjnë drejtpërdrejt brenda. Fikni sa më shumë pajisje elektrike. Përdorni ventilatorë elektrikë vetëm kur temperaturat janë nën 40 ˚C. Nëse përdorni ajër të kondicionuar, vendosni termostatin në 27 ˚C dhe ndizni një ventilator elektrik – kjo do ta bëjë dhomën të ndjehet 4 ˚C më e ftohtë . Gjithashtu mund të kursejë deri në 70% në faturën tuaj të energjisë elektrike për ftohje. Mos harroni se mund të jetë më freskët jashtë në hije”, ka thënë ky institut.
IKSHPK-ja ka treguar edhe si prindërit duhet t’i mbrojnë foshnjet dhe fëmijët duke mos i lënë asnjëherë në automjete të parkuara.
“Shmangni ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve të pikut (11:00-17:00), duke kërkuar hije ose duke qëndruar brenda. Hija mund të zvogëlojë nxehtësinë që ndjeni me më shumë se 10 °C. Mos e mbuloni kurrë një karrocë/karrocë fëmijësh me pëlhurë të thatë – kjo e bën atë më të nxehtë brenda karrocës. Në vend të kësaj, përdorni një leckë të lagur, të hollë dhe lagni sërish sipas nevojës për të ulur temperature”.
“Vishni fëmijët me veshje të lehta e të lirshme që mbulojnë lëkurën e tyre dhe përdorni kapele me buzë të gjera, syze dielli dhe krem mbrojtës për t’i mbrojtur ata nga rrezet e diellit. Ndiqni udhëzimet për ta mbajtur shtëpinë tuaj të freskët për të mbajtur një temperaturë të sigurt të brendshme”, ka rekomanduar IKSHP-ja.
Edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë thirrje për kujdes nga kontakti direkt me rrezet e diellit, duke apelur kështu që personat me sëmundje kronike të u shmangen këtyre rrezeve ose të bartin masa mbrojtëse, syze kapelë, rroba me ngjyrë të lehta, përcjell Klankosova.tv.
“Indeksi UV do të jetë shum i lartë , parashihen rreth 60 orë me diell, prandaj kujdes kontaktit direkt me rrezet e diellit. Personat me sëmundje kronike të ju shmangen këtyre rrezeve, ose të bartin masa mbrojtëse, syze kapelë, rroba me ngjyrë të lehta”.
“Një kujdes i veçantë edhe pjesëmarrësve në komunikacion, sepse ky mot me vapë shkakton shqetesime, dobëson reflekset e ngasjes, gjithashtu në raste të veçanta mund të humbin edhe kontrollin. Konsumimi i shpeshtë i ujit të freskët është i këshillueshëm”, ka thënë IHMK-ja.