Legjislatura VIII, rekord në miratimin e ligjeve

Legjislatura VIII, rekord në miratimin e ligjeve

Kuvendi i Republikës së Kosovës përmbylli punimet e sesionit vjeshtor 2023.

“Me gjithsej 218 ligje të miratuara dhe 45 projektligje aktualisht në procedurë gjatë periudhës trevjeçare (2021-2023), Legjislatura e tetë e Kuvendit, udhëhequr nga kryetari Glauk Konjufca, qysh tani ka arritur të shquhet si legjislatura më e suksesshme në historikun e parlamentarizmit të Republikës së Kosovës”.

“Përveç numrit rekord, ligjet e miratuara deri tani janë tejet të rëndësishme dhe ato synojnë reformën në drejtësi, ekonomi, arsim, shëndetësi, çështje sociale dhe agjendën evropiane”, ka shkruar në “Facebook” Feim Tahirsylaj, këshilltar për media në kabinetin e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.

Ai thotë tutje se: “Duhet theksuar gjithashtu se punimet e kësaj legjislature në vazhdimësi janë përcjell edhe me vështirësi dhe sfida të ndryshme, përfshirë sabotimin e seancave të Kuvendit, mospjesëmarrjen në votim dhe tendecat për bllokimin e punimeve të legjislativit nga ana e deputetëve të opozitës konfrontuese dhe jobashkëpunuese. Veçojmë sidomos neglizhimin apo mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me peshë financiare prej qindra milionë euro, dedikuar projekteve për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”.

Sidoqoftë, sipas tij, me gjithë pengesat dhe sfidat, lirisht mund të konstatohet se kjo legjislaturë ka shënuar rekord në miratimin e ligjeve dhe projektligjeve tashmë në procedurë, duke tejkaluar përnga volumi, efikasiteti dhe produktiviteti të gjitha legjislaturat e deritanishme.

Punimet e sesionit pranveror të Kuvendit do të nisin në janar të vitit që po vjen – 2024.