Dobësi në procesin e gradimit të policisë, IPK-ja jep tetë rekomandime
Inspektorati Policor i Kosovës, ka gjetur dobësi në procesin e gradimit për rreshter. Kështu është bërë e ditur në raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm lidhur me “Vlerësimin e menaxhimit të procesit të gradimit për rreshter”.
IPK-ja ka gjetur se procesi është përcjellë me disa dobësi në fazën e konkurrimit, si rezultat i të cilave thuhet se janë ngritur shumë shqetësime dhe ankesa.
IPK-ja në kuadër të Raportit ka dhënë tetë rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e rishikimit të harmonizimit të bazës ligjore që rregullon procedurën e gradimit për zyrtarët policorë me periudhën e realizimit të trajnimit themelor, përfshirjen e plotë të kritereve të aplikimit në kuadër të shpalljeve të proceseve të gradimit, aplikimin e masave kufizuese të aplikimeve në sistemin e menaxhimit të burimeve njerëzore (PRIMS), respektimin e parimit të përfshirjes në panele vlerësuese edhe të anëtarëve nga radhët e komuniteteve tjera etnike si dhe përgatitjen më të mirë teknike të procesit të testimit me shkrim.
Inspektimi është realizuar me kërkesë të kryeshefit ekzekutiv të IPK-së, Kushtrim Hodaj, dhe është përqendruar në Departamentin e Burimeve Njerëzore të Policisë së Kosovës (përfshirë edhe Drejtorinë për Zhvillimin e Performancës dhe Karrierës), si dhe Komisionin e procesit të gradimit.
Kërkesa për inspektim thuhet se ka ardhur si rrjedhojë e shqetësimeve mbi numrin e konsideruar të ankesave të drejtuara në IPK lidhur me rregullsinë e procesit të gradimit për rreshter.
“Qëllimi i inspektimit ka qenë të vlerësohet integriteti i procesit të gradimit dhe të hidhet dritë mbi rregullsinë e tij. Inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me identifikimin e pozitave të lira dhe analizën e nevojave për personel të graduar, respektimin e parimeve të trajtimit të barabartë të palëve, aplikimin dhe testimin, vendimmarrjen, transparencën, si dhe trajtimin e ankesave të palëve të pakënaqura”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
“IPK-ja pret nga Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që të ndërmarrë veprime për të evituar çfarëdo dobësie apo lëshimi në këtë proces të gradimit, duke e konsideruar Raportin e inspektimit si pasqyrues të gjetjeve që mund të kenë dëmtuar kredibilitetin e mbarëvajtjes së procesit në fjalë”, thuhet tuje në njoftim.
Raporti i plotë KËTU.