Haxhiu nuk pret që Serbia do t’i përgjigjet kërkesës për ekstradimin e shtetasve kosovarë

Haxhiu nuk pret që Serbia do t’i përgjigjet kërkesës për ekstradimin e shtetasve kosovarë

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha të mërkurën se vështirë se Serbia do t’i përgjigjet kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin e shtetasve të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgime në Serbi, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.

“Ne ende nuk kemi marrë përgjigje. Nuk mund të them që do të kemi apo jo përgjigje, por duke pasur parasysh që në vazhdimësi ka pasur refuzim për bashkëpunim juridik… natyrisht që është goxha e vështirë që mund të kemi përgjigje”, tha ajo.

Në fillim të kësaj jave, Haxhiu tha se i kërkoi përmes një letre javën e kaluar homologes së vet serbe transferimin e shtetasve të Kosovës.

Katër shtetas të Kosovës, aktualisht, ndodhen në paraburgim në Serbi nën akuzat për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa.

Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrare dhe të padrejta arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për akuzat për krime lufte. Ato e kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj.

Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.