Asambleja e Republikës Sërpska e miraton Deklaratën e “Kuvendit gjithëserb”
Asambleja Kombëtare e entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republikës Sërpska, e ka miratuar të martën vonë të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb, e cila doli nga një “Kuvend gjithëserb” muajin e kaluar në Beograd.
Deklarata, e miratuar më 8 qershor në Beograd në një takim të përbashkët të Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republikës Sërpska, përbëhet nga 49 pika.
Aty thuhet se populli serb “përbën një entitet të vetëm” dhe se, ndonëse “përgjatë historisë, populli serb ka jetuar në shumë shtete me emra të ndryshëm, ai ka të drejtë të ruajë traditën e tij të pasur”.
Miratimi i kësaj Deklarate është dënuar nga anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq, si dhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë, shkruan Rel.