Nënshkruhet kontrata për financimin e festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest” 2024

Nënshkruhet kontrata për financimin e festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest” 2024

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka pritur sot në takim Agron Sokolin, drejtor ekzekutiv i Shoqatës “Hardh Fest”, me të cilin ka nënshkruar kontratën për financimin e festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest” 2024, i cili do të mbahet më 6, 7 dhe 8 shtator 2024.

“Kjo festë e madhe do të vazhdojë të mbetet një ndër ngjarjet më të mëdha kulturore, e cila do të bëjë bashkë adhurues të shumtë në një festë të rrallë për kulturën dhe trashëgiminë tonë bujqësore. Me mbështetjen e fortë të Komunës së Rahovecit, këtë vit, Festa e Vjeljes së Rrushit ‘Hardh Fest’, fuqishëm do ta dëshmojë që vazhdon të kryesojë si një ndër festat më të mëdha që do t’i gërshetojë bashkë verën, rakinë dhe muzikën, të cilat festës i japin ngjyrim dhe identitet”, ka thënë Latifi.

Ai ka theksuar se partneriteti i suksesshëm mes Komunës së Rahovecit dhe Shoqatës “Hardh Fest” siguron një mbarëvajtje të suksesshme të festës e cila do të mbetet e paharrueshme për të gjithë qytetarët dhe vizitorët tanë.

“Mbetemi të përkushtuar në promovimin e trashëgimisë sonë turistike, bujqësore dhe kulturore!”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.