Gërvalla dhe Zupançiq riafirmuan përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin Kosovë – Slloveni
Zgjerimi i bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, mbështetja e Republikës së Kosovës në rrugën e integrimit euro-atlantik dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, siguria në rajon dhe bashkëpunimi në iniciativa rajonale që për qëllim kanë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, ishin temat në fokus të takimit mes zëvendëskryeministres, ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe kryetares së Parlamentit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar-Zupançiq, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Kosovë.
Gjatë këtij takimi ministrja Gërvalla e falënderoi kryetaren e Parlamentit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar-Zupançiq për mbështetjen që deputetët slloven i kanë dhënë Republikës së Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, përkatësisht mbështetjen në arritjen e 82% të votës pro anëtarësimit nga Asambleja Parlamentare e KiE.
Ministrja Gërvalla në takim me kryeparlamentaren sllovene paraqiti të arriturat e Republikës së Kosovës në shumë fusha dhe mundësitë e mëdha të investimeve në vendin tonë, duke theksuar potencialin e madh të të rinjve.
Më tej ministrja Gërvalla dhe kryetarja Zupançiq riafirmuan përkushtimin e tyre për të thelluar më tej bashkëpunimin bilateral dhe për të eksploruar mundësi të reja që do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët e të dy vendeve.