“Kjo qeveri s’ka legjitimitet – do ta demonstrojmë pakënaqësinë tonë”

“Kjo qeveri s’ka legjitimitet – do ta demonstrojmë pakënaqësinë tonë”

Shtatë ditë pasi është votuar Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut në Kuvend e cila do të udhëhiqet nga kryeministri Hristijan Mickoski, lideri i Bashkimit Demokratike për Integrim, Ali Ahmeti, ka thënën se partia e Mickoskit nuk respektoi legjitimitetin te shqiptarët.

“Do të demonstrojmë pakënaqësinë tonë, revoltën tonë me vendimin e tyre jo të drejtë që nuk respektuan legjitimitetin e fituar nga BDI dhe Fronti të cilët bashkë e bënë fushatën dhe bashkë shënuam fitoren e radhës”, tha Ahmeti në një konferencë për media.

Sipas tij, kjo qeveri nuk ka legjitimitet dhe BDI do të angazhohet për t’ia shpjeguar opinionin se ky shtet ka ardhmëri e perspektivë duke respektuar votën e lirë dhe legjitimitetin i cili buron nga sovrani.

“Ne kemi fituar zgjedhjet. Para 18 viteve u bë ky gabim. Brenda 18 muajsh u organizuan zgjedhjet e parakohshme. Në ato zgjedhje fitoi BDI dhe filloi reflektimi në drejtim të respektimit të votës së lirë”, shtoi kreu i BDI-së.

Më 23 qershor, me 77 vota për është votuar Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut. Me këtë votim Hristijan Mickoski nga partia VMRO-DPMNE është emëruar si kryeministri i 13-të i RMV-së.

Qeveria e 20-të që nga pavarësia e vendit u formua nga VMRO-DPMNE me partnerë – koalicionin VLEN dhe partinë ZNAM.

Qeveria e Mickoskit do të ketë 5 zëvendëskryeministra.VMRO-DPMNE do të udhëheqë me 15 ministri. 6 ministri janë të VLEN-it dhe 2 të ZNAM-it.

Qeveria e re RMV-së u krijua pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, në të cilat në kampin maqedonas fitoi bindshëm VMRO, me plotë 58 deputetë, ndërsa te shqiptarët fitore korri “Fronti Evropian”, me 18 mandate, apo 4 më shumë se “VLEN”-i.

Por, përkundër kësaj, VMRO-ja ka përzgjedhur “VLEN”-in që të bëjë koalicion, duke anashkaluar kështu parimin fituesi me fituesin (te shqiptarët dhe te maqedonasit).