Sondazhet: Partia e Le Pen fiton rundin e parë të zgjedhjeve në Francë

Sondazhet: Partia e Le Pen fiton rundin e parë të zgjedhjeve në Francë

Partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, i Marine Le Pen ka dalë fituese në rundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në Francë më 30 qershor, sipas sondazheve.

Sondazhet e kryera nga Ipsos, Ifop, OpinionWay dhe Elabe parashikuan që partia e Le Pen do të fitojë rreth 34 për qind të votave, raporton Rel.

Pas mbylljes së vendvotimeve, Le Pen iu adresua votuesve duke kërkuar që t’i japin Tubimit Kombëtar një “fitore absolute” në Parlamentin prej 577 ulësesh.

Sipas sondazheve, Le Pen pritet të ketë shumicën në Parlament dhe pas rundit të dytë edhe shumicën absolute, duke i mundësuar që për herë të parë kjo parti e ekstremit të djathtë të jetë në pushtet.

Sipas projeksioneve, aleanca e krahut të majtë e Frontit të Ri Popullor ka fituar 28.5-29.1 për qind të votave, ndërkaq e treta radhitet aleanca centriste e presidentit fracez, Emmanuel Macron me 20.5-21.5 për qind.

Pas rundit të parë të zgjedhjeve, Macron bëri thirrje për një aleancë “të gjerë” kundër ekstremit të djathtë gjatë rundit të dytë të zgjedhjeve.

Të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare kishin rreth 49 milionë votues dhe dalja në rundin e parë ishte e lartë.