Dështon grushti i shtetit në Bolivi! Tërhiqen forcat ushtarake
Automjete të blinduara thyen portën hyrëse të pallatit qeveritar të Bolivisë të mërkurën në atë që dukej se ishte një përpjekje e dështuar për grusht shteti, ndërsa presidenti Luis Arce tha se vendi qëndroi i vendosur përballë sulmeve ndaj demokracisë dhe u bëri thirrje njerëzve të mobilizohen.
Ushtarët u tërhoqën së bashku me një autokolonë mjetesh të blinduara, ndërsa qindra mbështetës të presidentit Arce dolën me nxitim në sheshin përpara pallatit qeveritar, duke valëvitur flamuj bolivianë dhe duke brohoritur.
Në një video të mëhershme ku presidenti Arce u shfaq i rrethuar nga ministrat në pallatin qeveritar, ai tha: “Ja ku jemi, të vendosur në Casa Grande, për t’u përballur me çdo përpjekje për grusht shteti. Kemi nevojë që populli bolivian të organizohet”.
Gjenerali bolivian Juan Jose Zuniga, i cili dukej se drejtonte rebelimin, u arrestua në vazhdim pasi prokuroria e përgjithshme filloi hetimet.
Më herët, presidenti Arce u përball me gjeneralin Zuniga, në korridorin e pallatit qeveritar, siç u pa në filmimet e televizioneve boliviane. “Unë jam kapiteni juaj dhe ju urdhëroj të tërhiqni ushtarët tuaj dhe nuk do ta lejoj këtë mosbindje”, tha presidenti Arce.