Në Kosovë arrestohet një person nën dyshime për spiunazh
Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur se më 26 qershor është arrestuar një person, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “spiunazhi”.
Sipas njoftimit, A.V, u arrestua mbrëmjen e së mërkurës në rajonin e Mitrovicës. Prokuroria Speciale tha se arrestimi u bë pas hetimeve disamujore që u kryen në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës.
“I njëjti me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale është ndaluar prej 48 orësh dhe për momentin nga Policia e Kosovës janë duke u kryer bastisje në banesën e të dyshuarit”, u tha në njoftim.
Arrestimi i këtij personi të dyshuar për spiunazh, vjen pasi më 5 qershor në Ferizaj u arrestuan dy persona të dyshuar po për spiunazh.