Zyra e BE-së: Kuvendi injoroi komentet tona për tri projektligje
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se nuk janë marrë parasysh komentet e saj për tri projektligjet, që janë planifikuar të dalin në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor.
Bëhet fjalë për Projektligjin për zyrtarët publikë, atë për Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Komentet, tha BE-ja, synojnë të përmirësojnë këto projektligje dhe sigurojnë që të jenë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane, shkruan Rel.
Sa i përket Projektligjit për zyrtarët publikë, BE-ja shprehu shqetësim për mosmarrjen në konsideratë të këshillave të saj të ofruara gjatë hartimit.
“Komisioni Parlamentar [për Administratë Publike] nuk i ka trajtuar shqetësimet kyçe lidhur me këtë projektligj, të ngritura në opinione të ndryshme të BE-së, veçanërisht në lidhje me ndryshimet që sjell legjislacioni në pozitat drejtuese dhe në procedurat e rekrutimit, ngritjes në detyrë dhe performancës në shërbimin civil. Ndryshime të tilla, nëse zbatohen, rrezikojnë të minojnë profesionalizimin dhe paanshmërinë e shërbimit civil”, tha BE-ja.
Te ky projektligj, për BE-në mbetet shqetësim edhe një aspekt i tjetër është edhe se ligji parasheh që kur të hyjë në fuqi, do të aplikohet “viti zero” edhe për zyrtarët publikë në pozita drejtuese të nivelit të ulët dhe të mesëm.
“Kjo bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023. Kjo rrezikon gjithashtu të minojë profesionalizimin dhe stabilitetin në shërbimin civil”, tha BE-ja.
Ky projektligj, përveç nga BE-ja ishte kritikuar edhe nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkaq, sa i përket Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media, Zyra e BE-së tha se pavarësisht se versioni aktual ka përfshirë disa rekomandime të Këshillit të Evropës, legjislacionit i duhen rishikime të mëtejme që të përmirësohet qartësia ligjore dhe të përshtatet edhe më shumë me standardet e bllokut evropian dhe Këshillit të Evropës.
Ky legjislacion parasheh që mediat online, që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.
BE-ja po ashtu shprehu shqetësime për ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke thënë se Kosova nuk ka kërkuar opinion përcjellës nga Komisioni i Venecias.
“Andaj, BE-ja përsërit rekomandimin e vet të fortë që të rikonsultohet Komisioni i Venecias për këtë projektligj. BE-ja thekson më tej me shqetësim se përkundër këshillave dhe mbështetjes sonë të vazhdueshme që i kemi dhënë qeverisë dhe komisioneve përkatëse të Kuvendit, komentet tona nuk janë marrë parasysh, duke përfshirë ato në lidhje me rritjen e pluralizmit dhe pavarësisë së Komisionit Para-Zgjedhor për të siguruar përafrimin me standarde evropiane”, u tha në reagim.
Zyra e BE-së tha se këto projektligje janë kyçe për rrugën e Kosovës drejt BE-së, pasi shtetet që duan të anëtarësohen në bllok duhet të përafrohen me standardet evropiane.