Klubi e shkarkon Adrian Mutun teksa ishte në funeralin e nënës
Adrian Mutu, ish-sulmuesi i njohur rumun që ka luajtur edhe për klube të mëdha, si Juventusi e Çelsi, është shkarkuar së fundi nga detyra e trajnerit të Neftchi Baku, një klub nga Azerbajxhani.
Diçka normale, por ajo që nuk duket fare normale ka të bëjë me mënyrën si ka vepruar klubi azer dhe momentin e zgjedhur për t’i dhënë lajmin. Vendimi i shkarkimit i është komunikuar teksa Adrian Mutu ishte në Rumani për të marrë pjesë në funeralin e së ëmës.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetari rumun Emanuel Rosu, i cili në një postim në ‘X’ shkruan se në mesazhin e shkarkimit klubi i shprehte tashmë ish-trajnerit edhe ngushëllimet për humbjen e nënës.
Krishtlindje makthi për ish-sulmuesin e famshëm, ndërsa klubi nga Azerbajxhani mund të ishte treguar pak më human, duke pritur edhe pak orë për komunikimin e vendimit.